Donald Lu: Frroku dhe Shullazi i tremben reformës në drejtësi

17/11/2015 00:00

Pa u mbushur java kur zgjodhi të flasë troç ndaj atyre ministrave, gjyqtarëve e prokurorëve të korruptuar që nuk e duan reformën në drejtësi, ambasadori amerikan Donald Lu foli me emra të pervetshëm edhe për njerëzit që vijnë nga bota e krimit.

“Personat e tjerë që duhet t’ja kenë frikën janë kriminelët, autorë të krimeve të rënda që ecin lirisht në rrugë çdo ditë. Persona si Arben Frroku, që vrau një shef policie, por në mënyrë të mistershme u lejua të largohej nga vendi deri sa ishte në pritje të apelimit në gjykatë. Persona si trafikanti i dënuar për drogë, Emiljano Shullazi që është akuzuar haptazi nga mediet për trafik të narkotikëve dhe vrasje, por nuk është çuar para drejtësisë. Dhe persona si Sokol Mjacaj, që u dënua për vrasjen e një djali 13-vjeçar, por në mënyrë të dyshimtë u lirua nga burgu dhe më pas vrau një çift çek . këta janë llojet e personave që duhet të kenë frikë nga një sistem drejtësie funksional”, tha ambasadori, Donal Lu.

Ambasadori amerikan shtoi se reforma në drejtësi pritet të mbajë larg politikën nga gjyqësori, të japë efekt në mënyrë që gjyqtarët të dënojnë kolegët e korruptuar si edhe që ata të mos influencohen.

Duke iu referuar raporteve të ndërkombëtarëve, Donald Lu, ju kujtoi prokurorëve të pranishëm se Shqipëria ka shifrat më të ulta të ndjekjes penale në Europë. Madje në këtë pikë, Ambasadori pati edhe një mesazh për shefat që komandojnë vartësit pa thënë konkreisht nëse ky fenomen i përket gjyqtarëve apo prokurorëve.

“Së fundi kam kuptuar se disa personave mund t’u jetë thënë prej shefave të tyre se çfarë duhet të thonë, ose më keq akoma se çfarë nuk duhet të thonë. Nëse kjo është e vërtetë, më kujton më shumë të shkuarën komuniste të Shqipërisë sesa të ardhmen e saj demokratike. Qëllimi i këtyre tryezave është të dëgjojmë nga publiku, përfshirë edhe bashkësinë e prokurorëve për këto reforma. Ky është sistemi juaj i drejtësisë. Kini kurajon të flisni atë që mendoni ju dhe mos përsërisni në mënyrë të verbërt atë që ju kanë vënë të thoni! Mos u trembni nga këta të pafytyrë!”, deklaroi Lu.

Ndërkohë, Prokurori i Krimeve të Rënda, Enrik Ligori u ndal tek parashikimi për ngritjen e SPAK, strukturës antikorrupsion.

“Prokurorët e Zyrës Antikorrupsion do të pranojnë, do të bëjnë një deklaratë të shkruar, që të pranojnë t’u kontrollohet pasuria e tyre me imtësi dhe të kontrollohen komunikimet e tyre dhe të afërmve të tyre. Natyrisht, këtu hyjmë në sferën e cënimit të të drejtave që mbrohen me Kushtetutë, ndaj besohet që ngritja kushtetuese e nivelit të kësaj zyre do të ishte një zgjidhje më e përshtatshme dhe një zgjidhje më inteligjente në këtë rast”, propozoi prokurori Enrik Ligori.

Në takimin e grupit të ekspertëve të nivelit të lartë për drejtësinë penale, përfaqësuesja e presidencës tha se dialogu për reformë nuk ka qenë gjithpërfshirës dhe se mënyra sesi do ndërtohet Këshilli i Lartë i Prokurorisë rrezikon që ta futë organin e akuzës nën ndikimin e politikës.

Konsultimi publik për drejtësinë do të vijojë edhe në ditët në vijim në rrethe të ndryshme.

Top Channel