PE dhe kriza politike shqiptare, Steinmeier vlerëson negociimin e paktit PD-PS

17/11/2015 00:00

Salla pothuajse bosh e Komitetit të Jashtëm, ndërsa diskutonte mbi Kosovën pas nënshkrimit të MSA-së me BE-në, që pret ende ratifikimin nga Parlamenti Europian për të hyrë në fuqi, u mbush menjëherë sapo erdhi ministri i Jashtëm gjerman. Frank-Walter Steinmeier përmendi Shqipërinë, që në minutën e parë të fjalës së tij.

Frank-Walter Steinmeier, ministër i Jashtëm i Gjermanisë: Dua të falenderoj Komitetin e Jashtëm për punën e bërë në arritjen e disa çështjeve të rëndësishme, siç është Partneriteti Lindor (shënim: nismë e BE-së me vendet ish-sovjetike) në 3 muajt e fundit, që nuk e harroj, por jam i sigurt se nuk do të harroj as punën e bërë nga dy përfaqësuesit e këtij komiteti në kohën e bllokimit të brendshëm politik në Shqipëri. Kjo nuk do të ishte zgjidhur, nëse disa prej jush, eventualisht nuk do të shkonin atje në përpjekje për të ngritur ura.

Më pas, ministri Frank-Walter Steinmeier tregoi se kishte qenë në stadiumin e Parisit, si dhe foli për mbi një orë në Komitetin e Jashtëm mbi terrorizmin e refugjatët, Sirinë dhe Ukrainën. Mëse i prerë, ai tregoi se qeveria gjermane qëndron në krah të Francës kundër ISIS, por “nuk mund të detyrojë të tjerët të veprojnë njësoj”, u shpreh ai në takimin me europarlamentarët, që pasonte mbledhjen e Këshillit të ministrave të Jashtëm të BE-së.

Eurodeputetët francezë treguan pakënaqësi ndaj reagimit të Gjermanisë, si vendi më i rëndësishëm europian për buxhetin e mbrojtjes, si dhe folën për shkëputjen e Francës nga mbrojtja europiane.

Ballkani u përmend vetëm nga i djathti sllovak, Eduard Kukan, i cili u përqëndrua te negociatat e Serbisë dhe marrëdhëniet me Kosovën.

Ministri gjerman iu rikthye Shqipërisë edhe në fund të konferencës së përbashkët për shtyp me kreun e Komitetit të Jashtëm europarlamentar, Elmar Brok.

Steinmeier: Unë nuk do të harroj angazhimin tuaj për të zgjidhur krizën shqiptare, kur grupet e ndryshme politike po bllokonin procesin politik. Mendoj se, për shkak të këtij angazhimi të parlamentarëve tuaj në Parlamentin Europian, Shqipëria është tashmë një prej vendeve të Ballkanit Perëndimor, që po bën progres të rëndësishëm.

Dy anëtarët e Komitetit të Jashtëm të PE-së, Kukan dhe Fleckenstein kontribuan për arritjen e marrëveshjes politike në dhjetor të vitit 2014, çfarë i mundësoi opozitës kthimin në Kuvend. Në të përfshihej zgjidhja e çështjes së personave me të dhëna kriminale në postet publike përpara zgjedhjeve të përgjithshme, ndërkohë që zgjedhjet lokale u konsideruan “një mundësi e humbur” në raportin e progresit të Komisionit Europian.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel