Maqedoni, formohet komisioni anketues për skandalin e përgjimeve

17/11/2015 16:20

Parlamenti i Maqedonisë ka miratuar vendimin për formimin e komisionit anketues për skandalin e përgjimeve, që duhet të vërtetojë përgjegjësinë politike për përgjimin ilegal dhe përmbajtjen e materialeve të përgjuara.

Komisioni që do të drejtohet nga deputeti i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë Petre Shilegov, do të përbëhet nga 16 anëtarë, 8 prej të cilëve nga partia më e madhe maqedonase VMRO-DPMNE, 4 nga LSDM-ja, dy nga BDI-ja, 1 nga PDSH-ja, dhe një anëtar do të jetë nga radhët e deputetëve të pavarur.

“Qytetarët e vendit tonë e meritojnë që të dinë se kush dhe për çfarë qëllimi i ka përgjuar mbi 20 mijë persona në Maqedoni. Megjithatë, qëllimi kryesore i komisionit është që të vërtetohet përgjegjësia politike për përmbajtjen e materialeve të përgjuara”, tha Petre Shilegov, deputet i LSDM-së.

Raportin e parë komisioni anketues për skandalin e përgjimeve duhet ta publikojë deri në fund të muajit janar të vitit të ardhshëm.

Vërtetësia e bisedave të përgjuara duhet të konfirmohet përmes dëshmitarëve që do të thirren për të dëshmuar nga komisioni. Partitë politike kanë të drejtë të propozojnë nga tre dëshmitarë që do të merren në pyetje brenda gjashtë javëve.

Pritet që komisioni të ftojë për të dëshmuar edhe Kryeministrin Nikolla Gruevski, ish-ministren e Brendshme, Gordana Jankullovska dhe ish-shefin e shërbimit sekret, Sasho Mijallkov, për të cilët opozita maqedonase kishte publikuar numrin më të madh të bisedave të përgjuara. Formimi i komisionit anketues është pjesë e marrëveshjes së 2 qershorit.

Top Channel