Aktakuzë ndaj prokurores së Mitrovicës

17/11/2015 16:25

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër prokurores Vahide Badivuku dhe dy të pandehurve të tjerë për marrje ryshfeti, ushtrim të ndikimit dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, aktakuza e ngritur në Gjykatën Themelore në Prishtinë ngarkon të pandehurit me veprat penale pasi dyshohet se në periudhën kohore maj-gusht 2015, e pandehura Vahide Badivuku, në cilësinë e Prokurores së Shtetit pranë Departamentit për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, duke shfrytëzuar detyrën, me qëllim që të përfitojë dobi për vete, ka kërkuar dhe pranuar dhuratë në shkëmbim të lirimit nga masa e paraburgimit të të pandehurve në një rast që ajo e drejtonte.
 
Sipas aktakuzës, Badivuku ka kërkuar dhe ka marrë nga familja e të pandehurve në një rast penal shumën në vlerën prej 10 mijë eurosh.
 
Po ashtu, Badivuku, më datë 21.08.2015, në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale, ka përpiluar kërkesën për kthimin e sendeve të sekuestruara përkohësisht nga të pandehurit e këtij rasti, në shkëmbim të 22 mijë eurove.
 
Kjo shumë ishte dorëzuar tek I.S. dhe më pas ishte përcjellë tek i pandehuri I.K. me destinim përfundimtar tek Badivuku.
 
Gjithashtu, sipas aktakuzës, në periudhën kohore maj-gusht 2015, dy të pandehurit I.K. dhe I.S. kanë luajtur rolin e ndërmjetësuesit dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë kanë pranuar dhuratë për vete dhe për personin tjetër në mënyrë që të ushtrojnë ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e personit zyrtar, përkatësisht të prokurores, tani të pandehurës Badivuku.
 
Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Kosovës, i cili i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë për veprat e kryera penale dhe të dënohen sipas ligjit.

Top Channel