Sërish fletë-arresti ndaj Albin Kurtit

17/11/2015 16:55

Ndaj katër deputetëve të opozitës në Kuvendin e Kosovës, janë lëshuar fletë-arrestet nga ana e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Sipas KosovaPress fletë-arrestet janë lëshuar për Albin Kurtin, Albulena Haxhiun, Donika Kadaj-Bujupi dhe Faton Topalli.

Fletë-arrestet lidhen me dhunën e shpërthyer në seancën e kësaj të marte në Kuvend, ku deputetë të opozitës hodhën sërish gaz lotsjellës dhe u përleshën fizikisht me forcat e sigurisë në sallë.

Opozita kosovare kundërshton futjen në punimet e Kuvendit të marrëveshjeve të nënshkruara me Serbinë si dhe atë të demarkacionit të kufirit më Malin e Zi.

Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se gjithçka është e qartë tashmë. Sipas saj, gjykata e mori mesazhin e Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit sot paradite, të cilët paralajmëruan represion shtetëror ndaj deputetëve opozitarë.

“Është e papranueshme që i gjithë aparati shtetëror i republikës sonë të vihet në mbrojtje të projekteve të Serbisë dhe demarkacionit me Malin e Zi”, thuhet në një komunikatë të lëvizjes Vetëvendosje, ku theksohet se “dhuna dhe përndjekjet nuk do ta ndalin opozitën”.

Sipas Vetëvendosjes, Mustafa e Thaçi kërkuan persekutim politik ndaj deputetëve të opozitës dhe Gjykata Themelore ua miratoi këtë urdhër.

“Urdhërat politikë ndaj gjyqësorit janë të papranueshme dhe nuk do të lejohen të zbatohen”, thuhet ndër të tjera në këtë komunikatë, ku gjithashtu theksohet qëndrimi i opozitës së bashkuar se nuk do të ketë normalitet në Kosovë pa u tërhequr marrëveshjet e dëmshme.

Top Channel