BE aktivizon klauzolën e mbrojtjes

17/11/2015 16:50

Për herë të parë, Bashkimi Europian angazhohet të zbatojë klauzolën e “mbrojtjes reciproke” të traktatit, me kërkesë të Francës, siç deklaroi një ditë më parë në Versaille Presidenti Hollande.

Në mbledhjen e ministrave europianë të mbrojtjes mori pjesë dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, i cili deklaroi se pavarësisht se nuk është aktivizuar neni 5, aleatët po kontribuojnë “me sa munden” ndaj Francës.

“Sot, Bashkimi Europian, me zërin e të gjithë Ministrave të Mbrojtjes së shteteve anëtare të BE-se, unanimisht, shpreh mbështetjen e plotë më të fortë dhe gadishmërinë për të dhënë ndihmën dhe asistencën e kërkuar”, tha Federica Mogherini, përfaqësuese e lartë e BE-së.

“Ajo që më goditi është se çdo vend u shpreh se “do t’ju ofroj ndihmë” dhe mendoj se në fund të tryezës, ne do të kemi atë që do të koordinohet nga Përfaqësuesja e Lartë, për kontributin që do të ofrojë secili shtet, në një mënyrë ose tjetrën, në zbatim të nenit 42.7.  Ky nen kërkohet për herë të parë në historinë e këtij traktati dhe pati mbështetje unanime, çfarë përbën në vetvete një akt politik me rëndësi madhore”, u shpreh Jean-Yves Le Drian, Ministër i Mbrojtjes në Francë.

Ky nen i traktatit të BE-së, është i ngjashëm me atë të NATO-s (neni 5) dhe, në përputhje me nenin 51 të Kombeve të Bashkuara, ai parashikon “ndihmë dhe asistencë me të gjitha mënyrat” ndaj një shteti anëtar, që është “objekt i një sulmi të armatosur në territorin e vet”. Ndryshe nga klauzola për solidaritetin reciprok, Komisioni Europian ka vetëm rol ndjekës në këtë rast, pasi kompetencat përqëndrohen te vendet anëtare të BE-së.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel