Autoambulanca me sistem GPS

17/11/2015 17:20

Ministria e Shëndetësisë prezantoi këtë të martë sistemin e ri të menaxhimit të flotës së autoambulancave të shërbimit të urgjencës, e cila do të bazohet me një sistem elektronik të identifikimit të thirrjeve të qytetarëve.

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, në takim me stafin dhe hartuesit e këtij programi theksoi shtimin e infrastrukturës së shërbimit të urgjencës.  

“Ne shtuam flotën e 20 autoambulancave me 20 mjete, flotën e helikopterëve me një helikopter të ri, kemi filluar ndërtimin e godinës së urgjencës dhe po prokurojmë pastaj sistemet e administrimit të gjithë proçesit, atë që quhet të komandës dhe kontrollit”, deklaroi ai.
 
Flota e mjeteve të urgjencës do të monitorohet nga një sistem gjurmimi me GPS.

“Nga data 1 nëntor, të gjitha autoambulancat tona janë të pajisura me këtë sistem, i cili në fakt, përveç një niveli më të lartë monitorimi, që padyshim e ka, do të na shërbejë këto muaj për të përgatitur vendodhjen më optimale të autoambulancave në territorin e vendit vitin e ardhshëm. Ne kemi sot 222 autoambulanca. Të paktën për këto 222 autoambulanca kemi vendosur GPS”, shtoi ministri i Shëndetësisë.

Beqja tha se vitin e ardhshëm në çdo spital, ku kemi të paktën tre autoambulanca apo më shumë, do të krijojmë një njësi të re vetëm të koordinimit të këtij proçesi, sepse numri i skuadrave që do të merren me këtë punë është shumë më i madh.

Top Channel