Buxheti dhe paketa fiskale; Cani e prezanton në Kuvend, debate me opozitën

17/11/2015 18:50

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani e quajti projektbuxhetin e vitit 2016, si buxhet i zhvillimit rajonal, thellimit të reformave dhe uljes së borxhit dhe taksave.

Cani prezantoi në Konferencën e Kryetarëve në Kuvendin e Shqipërisë projekbuxhetin e vitit të ardhshëm, duke nënvizuar tre karakteristika të tij.

“Së pari është një buxhet me sens të theksuar zhvillimi për mirëqënien e qytetarëve sepse mbështet disa sektorë tradicionalë, ku do të përmendja bujqësinë dhe pyjet. Së dyti, rrit kompetencat, shërbimet dhe fondet për qeverisjen vendore duke e kthyer në një pushtet që ofron mundësi dhe potenciale zhvillimi. Së treti, karakteristikë e këtij buxheti është se nuk rrit taksat, përkundrazi i ul ato, duke inkurajuar punësimin dhe uljen e varfërisë”, tha Cani.

Megjithëse ishte një prezantim paraprak i projektbuxhetit, Konferenca e Kryetarëve nisi me përplasje mes maxhorancës dhe përfaqësuesve të opozitës.

Edmond Spaho, Edi Paloka dhe Albana Vokshi u ankuan se kishin marrë vetëm dy orë më parë në dorëzim projektbuxhetin dhe nuk kishin patur kohën e nevojshme për t’u njohur me përmbajtjen e tij.

“Jemi njoftuar para dy orësh dhe nuk kemi asnjë ide mbi projektbuxhetin dhe ligjet fiskale që e shoqërojnë. Projektbuxheti nuk është shqyrtuar në Komisionin e Ekonomisë me nënkryetarin e këtij Komisioni”, deklaroi Spaho.

Megjithatë, kreu i Kuvendit, Ilir Meta tha se thërritja e Konferencës së Kryetarëve shërben vetëm për prezantimin e projektbuxhetit nga ana e ministri Cani dhe rënia dakort mbi kalendarin për miratimin e tij.

“Propozoj që të vazhdojmë me prezantimin nga ana e ministrit dhe sa i takon kalendarit, si për projektbuxhetin dhe projektligjet që e shoqërojnë kemi kohën e mjaftueshme. Të biem dakort për kalendarin edhe sot, edhe nesër”, tha Meta.

Top Channel