Euro bie nën 138 lekë. Zhvlerësimi më i madh ndaj lekut

17/11/2015 20:00

Euro është zhvlerësuar me ritme të shpejta ndaj lekut, duke rënë në nivelin më të ulët të 3 viteve të fundit. Sipas Bankës së Shqipërisë, aktualisht monedha europiane këmbehet me 137.91 lekë dhe kjo është hera e parë, që nga gushti i vitit 2012, kur ajo bie nën kuotën 138 lekë.

“Duke vënë re që të dhënat makroekonomike në Eurozonë nuk janë përmirësuar, kemi pasur reagime nga Banka Qendrore Europiane dhe pritet që të hedhë likuiditet ende”, tha Rinald Gjyli, zv.drejtor i Thesarit, “Credins Bank”.

Por, veç shkaqeve të jashtme, këtë herë euro po bie ndaj lekut edhe për shkaqe të brendshme. Dhe sipas ekspertëve, dobësimi i monedhës europiane mund të vazhdojë.

“Për shkak edhe të normave të interesit të depozitave në lek, që janë më lart se normat e interesit të ofruara për depozitat në euro, do të ketë ndryshim edhe më tej. Shumë investitorë do të kthejnë euron në lek dhe për pasojë do të kemi një forcim të mëtejshëm të lekut. Ka hapësira për këtë”, shtoi më tej Rinald Gjyli.

Por teksa euro humbet pikë, monedha tjetër kryesore e botës, dollari amerikan ka shënuar rekorde të tjera. Aktualisht, sipas Bankës Qendrore, një dollar këmbehet me 129.2 lekë.

“Ka shumë zëra nga fondet ndërkombëtare, që pritet një rritje e normës bazë të interesit në Amerikë, që pritet të ndodhë gjatë javës së parë të muajit dhjetor, në takimin e Bankës Qendrore amerikane, të njohur si Rezerva Federale. Kjo gjë, menjëherë dhe automatikisht do të forcojë edhe më tej dollarin amerikan. Në këtë krah kanë lëvizur të gjitha fondet ndërkombëtare, investimet më të mëdha, investitorët individë”, deklaroi Gjyli.

Rënia e euros ka disa efekte në ekonomi. Ajo lehtëson ata, që kanë kredi në monedhën europiane, por nga ana tjetër godet eksportet e kompanive shqiptare dhe favorizon importet nga vendet e BE-së, duke zgjeruar defiçitin tregtar.

Top Channel