Hetimi i huaj i aferës “CEZ”

17/11/2015 20:10

Demokratët nuk arritën të marrin votën pro të socialistëve për ligjin që kërkon hetim ndërkombetar për aferën CEZ.

Në fakt, përfaqësuesit e mazhorancës nuk shprehën as votën kundër, sepse diskutimi me kundërshtimin e demokratëve, u shty derisa kryetari Fatmir Xhafaj të marrë mendime nga disa institucione, përfshirë edhe Prokurorinë e Përgjithshme. Megjithatë, që në fillim u dukën kundërshti të forta.

Fatmir Xhafaj: Ky është një ligj i rëndësishëm sepse ka implikime kushtetuese, siç thonë relatorët. Kështu mendoj dhe unë. Ky është një ligj, që nëse votohet, duhet të votohet me shumicë të cilësuar.

Eduard Halimi: Për ne nuk ka asnjë implikim kushtetues dhe as ndonjë ligji me shumicë të cilësuar. Dilema është një. A kemi vullnet për t’u hetuar nga një institucion i pavarur?

Pavarësisht se diskutimi u shty, socialistët ngritën shumë pikëpyetje për rolin e prokurorëve të huaj në hetim, duke u përpjekur ta orientojnë diskutimin tek shumica e cilësuar, sepse veprimet që ata përmenden janë pjesë e Kodit të Procedurës Penale, të cilit i nënshtrohen prokurorët shqiptarë.  

Ulsi Manja: Do firmosë ky prokurori i huaj ndonjë kontroll banese? Do firmosë sekuestrim prone? Kërkesë për masë sigurimi? Qe të jemi konkretë.

Eduard Halimi: Grupi i prokurorëve është nën ombrellën Prokurorit të Përgjithshëm. Nuk bëhet fjalë as për sekuestrime, kontrolle banese, apo përgjime. Prokurorët ndërkombëtare do t’u kërkojnë autoriteteve, në këtë rast Prokurorisë së Përgjithshme, për të bërë psh kontroll banese. Në këtë rast procedohet pa vonesë nga autoritet shqiptare.

Gjatë mbledhjes pati pyetje vetëm nga deputetët socialistë, të cilët kanë caktuar dy relatorë për projektligjin, të dy ish-prokurorë, Ulsi Manjen dhe Vexhi Muçmatën. Por, ajo që ra më shumë në sy, ishte heshtja e Petrit Vasilit të LSI-së.

Kryetari i tij Ilir Meta, ka deklaruar që në fillim se është pro hetimit ndërkombëtar të aferës CEZ dhe bashkë me zotin Vasili dhe 10 deputetë të tjerë LSI-së, votuan pa sukses njësoj si demokratët disa javë më parë, që ligji të shqyrtohej me procedurë të përshpejtuar.

Top Channel