Regbia në zi, ndërron jetë Jonah Lomu

18/11/2015 00:00

Jonah Lomu, sulmuesi legjendar i Zelandës së Re, ka ndërruar jetë në moshën 40-vjeçare. Lomu sapo ishte kthyer në Aukland nga Anglia, ku ai ishte i angazhuar në Botërorin e regbisë, ndërsa gjatë rrugës ishte ndaluar edhe në Dubai.

Lomu debutoi në Botërorin e regbisë si 19-vjeçar, ndërsa djersiti fanellën e “All Blacks” në 74 ndeshje nga viti 1994 deri më 2002, por më pas u detyrua të tërhiqet nga sporti për shkak të një sëmundje të rrallë dhe serioze në veshka.

Ai u detyrua t’i nënshtrohet një transplanti të veshkave në vitin 2004, por ky organ ndaloi se funksionuari në vitin 2011.

Vdekja e tij e papritur ka tronditur të gjithë tifozët dhe sportistët, të cilët kanë ngushëlluar familjen e Lomu, i cili ka lënë gruan e tij, Nadene dhe dy djemtë, Brayley 6 vjeç dhe Dhyreille 5 vjeç.

Ngushëllime kanë shprehur edhe krerët më të lartë të shtetit, duke filluar nga kryeministri i Zelandës së Re, John Key si dhe përfaqësues të federatës dhe skuadrës kampione të Zelandës së Re.

Top Channel