Panariti: Nuk duam luftë tregtare me Maqedoninë! Gati ankimimi në BE dhe CEFTA

18/11/2015 00:00

Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, është shprehur kundër asaj që ai e quan luftë tregtare me Maqedoninë. Pas bllokimeve të përsëritura që shteti fqinj u bën prodhimeve “Made in Albania” në pikat kufitare, Panariti thotë se Ministria që ai drejton ka nisur procedurat e ankimimit në Bashkimin Europian dhe pranë CEFTA-s. Në një intervistë për programin e mëngjesit “Wake Up” në “Top Channel”, ai ka nënvizuar se shteti maqedonas po penalizon dhe po shkakton dëme tek fermerët shqiptarë.

“Unë kam filluar procedurat e ankimimit në Bruksel dhe CEFTA, pasi kemi të bëjmë me ndalesa që pengojnë konkurrencën e lirë, që marrin natyrisht edhe format e një lufte tregtare. Ua kam bërë këtë të ditur autoriteteve maqedonase, por deri tani nuk kam marrë një reagim të mjaftueshëm, pasi ata mbështeten tek marrëveshja fitosanitare, që përdoret në këtë rast në mënyrë abuzive. Ne eksportojmë në Gjermani, Bullgari, Rumani dhe nuk kemi asnjë ndalesë, kjo që na bën Maqedonia është diskriminuese. Nuk është rruga e duhur që t’u përgjigjemi me masa simetrike, duke bllokuar kamionët tranzitë etj., sepse futemi në një klimë të tensionuar raportesh. Por, hapi ynë i parë është Brukseli, hapi i dytë CEFTA, pastaj do të vazhdojmë diskutimet në nivele të larta. Nëse situata përsëritet, hapi ynë i fundit ngelet të kalojmë në masa të ngjashme”,- ka thënë Panariti.

Përballë skepticizmit të shumëkujt se prodhimet që importohen në Shqipëri nuk analizohen sa dhe si duhet, Ministri thotë:
“Në mënyrë sistematike marrim mostra nga vendet që eksportojnë në vendin tonë, për t’ua nënshtruar më pas analizave që bëhen nga laboratorët rajonalë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, mbi bazën e një metodologjie të përcaktuar”,- thotë Panariti.

Top Channel