NBA, ndalen Cleveland dhe Miami

18/11/2015 11:30

Cleveland Cavaliers ndalet sërish në NBA. Skuadra nga Ohajo këtë radhë u mposht nga Detroit Pistons me rezultatin 104-99, në një ndeshje që u luajt në çdo pikë. LeBron James shënoi 30 pikë, 23 nga të cilat në dy periodat e para, por kjo nuk i mjaftoi skuadrës së Cavaliers që të evitojë disfatën e dytë radhazi. Ndërsa për Pistons spikatën Drummond me 25 pikë dhe 18 topa në tabelë, si dhe Reggie Jackson, me 23 dhe 12 asist.

Edhe Miami Heat humbi në ndeshjen e radhës në kampionat. Në “American Arlines Arena” të Floridës, Heat u gjunjëzua nga Minnesota Timberwolves me rezultatin 91-103, duke shënuar disfatën e katërt sezonale. Whiteside, me 22 pikë dhe 14 topa në tabelë, ishte ai që u paraqit më mirë për skuadrën e Miami, por këto shifra shërbyen vetëm si statistika personale të basketbollistit. Në krahun tjetër, për Minnesota, 24 pikët e Wiggins ishin shumë të vlefshme, pasi kjo skuadër regjistroi fitoren e pestë në këtë sezon të NBA.

Në ndeshjet e tjera, Golden State Warriors nuk di të ndalet, me kampionët që mposhtën Toronto Raptors 115-110, duke e çuar në 12 serinë e fitoreve radhazi. Brooklyn Nets mundi Atlanta Hawks 90-88, Washington Wizards shkatërroi Milwaukee Bucks teksa e mundi 115-86, ndërsa New Jork Knikcs mposhti Charlotte Hornets 102-94.

Top Channel