Morten Olsen largohet nga Danimarka, “kurbani” i fundit i De Biasit

18/11/2015 00:00

Morten Olsen nuk është më trajneri i kombëtares daneze. Tekniku 66-vjeçar, që ka qëndruar në pankinën e përfaqësueses së vendit nordik për 15 vite, dha dorëheqjen nga posti i tij menjëherë pas përfundimit të ndeshjes së “play-off”-it me Suedinë, që u mbyll me rezultatin 2-2, por që eliminoi Danimarkën nga “Euro 2016”.

“Bisedova me drejtuesit e Federatës dhe morëm vendimin e përbashkët për ndërprerjen e bashkëpunimit mes nesh, – ishte deklarata e Olsenit. – Të lëndon fakti që e mbyll një eksperiencë të tillë në këtë mënyrë. Aventura ime me Danimarkën përfundon këtu dhe unë e lë skuadrën në dispozicion të trajnerit tjetër me bindjen se, janë të gjitha mundësitë për të bërë mirë dhe për të çuar këtë skuadër në aktivitetet e tjera të rëndësishme kontinentale”.

Morten Olsen e ka bërë debutimin e tij si futbollist me përfaqësuesen daneze në vitin 1970. Ai ka zhvilluar në total 102 ndeshje me skuadrën e vendit të tij dhe ishte kapiten i saj në vitet ’80, kur Danimarka arriti të kualifikohej në Europianin dhe Botërorin e atyre viteve.

Në vitin 2000 ai u caktua si trajner i kësaj kombëtareje, të cilën e udhëhoqi në 166 ndeshje, duke vendosur edhe një rekord të ri në Europë, pasi është trajneri me qëndrimin më të gjatë në stolin e një përfaqësueseje në futbollin e kontinentit të vjetër.

Gjatë këtyre 15 viteve të qëndrimit të tij në pankinën e Danimarkës, ai bëri të mundur kualifikimin e kësaj skuadre në 4 aktivitete të rëndësishme futbiollistike, siç ishin Botërorët e 2002-shit e 2010-s, si dhe Europianët e 2004-s dhe 2012-s.

Olseni është i fundit i trajnerëve të dorëhequr, ndër përfaqësueset që ishin në të njëjtin grup kualifikues me Shqipërinë, pas shkarkimit të trajnerit të Portugalisë, atij të Armenisë, si dhe holandezit të Serbisë, Dick Advocaat.

Top Channel