Tahiri: Lufta ndaj drogës, progres raporti vlerësoi policinë

18/11/2015 00:00

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri duke komentuar mbi raport progresin vlerësoi luftën ndaj narkotikëve në vend. Për Tahirin pengesë kryesore për dërgimin përpara drejtësisë se trafikantëve të drogës mbetet drejtësia ndaj duhet të shpejtohet reforma në drejtësi.

“Në luftën kundër drogës Raporti thotë se Shqipëria ka arritur në një nivel të kënaqshëm për sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe ndërkohë ka kryer një sërë operacionesh me qëllim zbatimin e ligjit të cilat kanë çuar në shkatërrimin e plantacioneve të mëdha të kanabisit. Progres raporti konstaton dhe shqetësime të përsëritur nga qeveria shqiptare dhe gjithashtu përsëritur nga MPB dhe Policia e Shtetit lidhur me ndjekjen penale që pason veprimin e policisë. Ndaj Progres-raporti konstaton se hetimi dhe ndjekja penale e të arrestuarve gjatë këtij operacioni nuk ka qenë vendimtar. Ky është padyshim një konfirmim tjetër i prioritetit maksimal të shoqërisë, të shtetit, të qeverisë shqiptare dhe mbi të gjitha të parlamentit për të çuar përpara në një kohë sa më të shpejtë, përfundimin e procesit të konsultimit, të hartimit përfundimtar dhe të miratimit të reformës në drejtësi për të bërë të mundur që puna e policisë të mos shkojë dëm”, tha Tahiri.

Ai ftoi opozitën dhe skeptikët të mos e sulmojnë policinë në luftën e saj ndaj krimit.

“Ne sigurisht nuk presim që skeptikët apo opozita të kërkojë ndjesë, por me plot arsye kërkojmë që opozita dhe cilido të mbështesë Policinë e Shtetit në përkjen tonë të përbashkët për ta bërë Shqipërinë më të sigurtë”, u shpreh ministri.

Sipas ministrit të Brendshëm bashkëpunimi rajonal mbetet një ndër pikat më të vlerësuara të progres raportit.

“Duke vlerësuar për herë të parë pozitivisht punën që ka bërë Policia e Shtetit me partnerët duke shkëmbyer informacion, duke fituar besimin dhe duke ndërtuar rezultate pozitive mbi këtë punë.”, tha ministri i Brendshëm.

Top Channel