Kosovë, opozita në protestë para qeverisë; kërkohen 30 ditë paraburgim për Kadaj-Bujupin

18/11/2015 00:00

Udhëheqës të partive opozitare në Kosovë, të mbështetur edhe nga dhjetëra aktivistë dhe simpatizantë të tyre janë mbledhur përpara selisë së Qeverisë së Kosovës, në shenjë proteste për veprimet e fundit të qeverisë dhe për urdhërarrestet e lëshuara për 4 deputetë të opozitës.

Të pranishëm në këtë protestë janë edhe krerët më të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje, përfshi këtu kryetarin Visar Ymeri, si dhe ish-kryetarin Albin Kurti, për të cilin gjykata ka lëshuar fletarresti, por që mesa duket vendimi nuk është ekzekutuar ende.

Forca të shumta policie shihen përpara objektit qeveritar për të siguruar mbarëvajtjen e protestës dhe mosdëmtimin e godinës.

Herët në mëngjes, forca policore bastisën shtëpinë e Donika Kadaj-Bujupit, por edhe të Albin Kurtit, duke mundur të ndalojnë vetëm deputeten e AAK-së. Prokuroria ka kërkuar 30 ditë paraburgim për deputeten e AAK, Donika Kadaj-Bujupi, me arsyetimin se gazi lotsjellës i hedhur nga ajo në sallën e Kuvendit është mjet i rrezikshëm.

Avokati i Bujupit, Aranit Koçi tha se tashmë pritet të merret vendimi i gjykatës, por – sipas tij, – kjo kërkesë është e padrejtë, pasi duhet të verifikohet më parë sesa i rrezikshëm është tymi.

Në një reagim për zhvillimet e mëngjesit, Lëvizja Vetëvendosje kërkon lirimin e deputetës së AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi.

“Policia po u përgjigjet urdhrave policorë të Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit, të cilët janë të gatshëm ta shndërrojnë Kosovën në shtet policor, vetëm që të mos heqin dorë nga pushteti i tyre dhe nga marrëveshjet që kanë bërë me Serbinë. Deputetja Kadaj-Bujupi duhet liruar menjëherë dhe përndjekja ndaj opozitës duhet të përfundojë”, thuhet në reagim.

“Ne nuk do të ndalemi pa u tërhequr marrëveshjet me Serbinë, pavarësisht sa larg është i gatshëm të shkojë pushteti në mbrojtje të ‘Zajednicës’”, përfundon komunikata.

Edhe kryesia e AAK-së është nisur për të protestuar para qeverisë.

“Kryesia e AAK-së, në një mbledhje të mbajtur para pak çastesh ka vlerësuar se, arrestimi i deputetes Donika Kadaj-Bujupi është një arrestim politik dhe si i tillë duhet të përfundojë menjëherë. AAK e konsideron krejt të panevojshëm ndalimin dhe arrestimin e deputetes, si dhe u kërkon organeve të drejtësisë të mos zbatojnë urdhrat e politikës e ta lënë deputeten të lirë. Arrestimi i deputetëve për aktivitetin e tyre politik, çfarëdo qoftë ai, është mesazh i keq për shtetin e së drejtës në Kosovë. Anëtarët e kryesisë së AAK-së, në shënjë revolte ndaj këtij vendimi politik janë nisur për një protestë përpara qeverisë së Kosovës, me të vetmen porosi ‘Lirojeni deputeten Kadaj-Bujupi’”, thuhet në komunikatën e AAK.

Top Channel