A nuk meritonin 224 viktimat rusë solidaritet të tipit #Nejemirusë?

18/11/2015 00:00

Rusia priti më shumë se dy javë për të pohuar se rrëzimi i avionit të pasagjerëve në gadishullin egjiptjan të Sinait është shkaktuar nga një bombë.

Pas deklaratës së shefit të shërbimit të fshehtë rus FSB, Alexander Bortnikow, se në mbetjet e “Airbus-it 321” u gjetën gjurmë lëndësh shpërthyese, është e qartë se Moska nuk ka më dyshime. Rënia e avionit të “Metrojet” me 224 persona në bord ishte një akt terrorist.

Janë 224 jetë të humbura, – thekson eksperti gjerman, Ingo Mannteufel, i cituar nga mediat vendase. – Njerëz të pafajshëm edhe ata, shumica turistë që ktheheshin nga pushimet, por për ata nuk ka asnjë “hashtag” #Nejemirusë në internet.

Solidariteti i treguar në mbarë botën me Francën, pas natës së terrorit më 13 nëntor, ishte padyshim një gjest tepër i lartë njerëzor. Por a nuk e meritojnë edhe viktimat rusë të terrorit një mbështetje të tillë, pyet Mannteufel.

Sipas analistit, politika ruse në Siri mund të quhet e gabuar dhe e papërgjegjshme. Edhe më shumë vlen kjo për politikën agresive të Kremlinit në Ukrainën Lindore dhe aneksimin e Krimesë në kundërshtim të plotë me të drejtën ndërkombëtare.

Por turistët rusë, si viktima të terroristëve islamikë, meritojnë pa rezerva ndjenjat tona të simpatisë, – shton ai, – duke kujtuar se 224 pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit të avionit të rrëzuar në Egjipt ishin po kaq pak përgjegjës për politikën e drejtuesve të tyre të shtetit në Siri, sa ç’janë përgjegjës për politikën e jashtme franceze njerëzit në rrugë, salla koncertesh apo stadiume.

“Po të mos duam, që me të drejtë në Perëndim të na akuzojnë për standarde të dyfishta, – është komenti i Mannteufel, – atëherë, pas deklaratës përfundimtare se ai i Sinait ishte atentat terrorist, do të na duhej të kishim dhe ne në Twitter “hashtagun” #WeAreRussians”.

Top Channel