Rama: Mbështetje me kredi projekteve për fermat e mëdha në bujqësi

18/11/2015 00:00

Kryeministri Edi Rama, nga një fermë në Laknas e ndërtuar nga ish-politikani Rexhep Uka, u shpjegoi sipërmarrësve nga fusha të ndryshme avantazhet e të investuarit në bujqësi, pas lehtësirave të krijuara nga qeveria në këtë sektor.

Në këtë bashkëbisedim ishin edhe biznesmenë, të cilët kanë nisur investimet e tyre të para në bujqësi.

“E vërteta është që nuk ka limit. Ne na duhet të krijojmë kushtet që financimi dhe kreditimi i bujqësisë të jetë pa limit. Por, sigurisht, për ta materializuar projektin tonë duheni ju. Ne mendojmë se ka ardhur koha që t’i vëmë në dispozicion sipërmarrjes një paketë, që e kemi quajtur Agro100. Njëri komponent është për fermën e madhe. Për çdo fermë në 100 hektarë ne do të bëjmë një mbështetje të drejtpërdrejtë me 1 milion dollarë në 5 vite për çdo sipërmarrës apo grup, që hyn në këtë proces”, tha kryeministri Rama.

Rama u ndal edhe në kreditë e këqija.

“Kreditë e këqija shkuan deri në 25%, që përbënin kërcënim real. Ne kemi bërë përpjekje bashkë me Bankën e Shqipërisë dhe kemi sjellë një ulje të arsyeshme, edhe pse jo të konsiderueshme për sa i përket nivelit ku duhej të ishim, në rreth 20%. Fakt është që pjesë e kredive të këqija për bankat nuk figurojnë kreditë e dhëna për fshatin”, deklaroi kryeministri Rama.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj tha se viti 2016 do të shpallet viti bujqësisë, dhe se për pastrimin e kanaleve të kullimit dhe drenazhimit do të vihen në dispozicion 35 milionë dollarë.

Nikolin Jaka, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë tha se, sipërmarrja shkon atje ku ndodh kthimi i investimit, por duhet hartim politikash dhe strategjish për të garantuar paratë e investuara.

Top Channel