Kërcënimet e ISIS, panik edhe në SHBA. Angazhim për shërbimet sekrete

18/11/2015 00:00

Niveli real i kërcënimit është vështirë të përcaktohet, por banorët e Uashingtonit i ka mbërthyer ankthi. Të hënën, drejtori i CIA-s John Brennan e pohoi se është praktikisht “e pashmangshme”, që ISIS-i të gjejë mënyra nga më të ndryshmet për të goditur e vrarë njerëz jashtë Irakut dhe Sirisë.

“Zyrtarët e inteligjencës po punojnë me të gjithë forcat për t’ua ndaluar këtyre njerëzve zbatimin e planeve të tyre djallëzore”,  ishte garancia e ofruar prej tij, por që sërish nuk e zbeh dot frikën e njerëzve.

Kërcënimi i militantëve të Shtetit Islamik e mundon Amerikën prej kohësh. Megjithatë, ditët e fundit, shqetësimi mbi një sulm të mundshëm është bërë shumë më i prekshëm, si fillim prej ngjarjeve të Parisit, e pas kësaj prej videos së re të grupit ekstremist, që paralajmëron një “fushatë kryqtare” kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve.

Kërcënime të ngjashme ka pasur edhe më parë, por këtë radhë militantët tregohen më të drejtpërdrejtë, duke saktësuar se shënjestra e sulmeve të tyre “do të jenë njerëzit në Uashington”.

Në raportin e tyre më të fundit, kërkuesit e institutit “New America Foundation” idenfitikojnë 23 shtetas amerikanë, që kanë udhëtuar drejt Sirisë me qëllimin t’i bashkoheshin ISIS-it apo grupeve të tjera xhihadiste në atë vend. 9 prej tyre janë vrarë, 5 janë në burg, të tjerët janë të lirë.

Kërcënimi prej këtyre individëve, sidoqoftë, konsiderohet relativisht i ulët. Më shqetësues, sipas raportit, duhen konsideruar personat që jetojnë në Amerikë, e që nuk kanë qenë ndonjëherë në Siri, ose edhe njerëz që mund të udhëtojnë lirshëm drejt SHBA-ve, të cilët janë të tërhequr nga Shteti Islamik e mund të vendosin të ndërmarrin një sulm në tokën amerikane.

Me këtë qëllim të mirëpërcaktuar në mendje, ekstremistët e ISIS-it kanë publikuar edhe një udhëzues me titullin “si të mbijetosh në Perëndim”, drejtuar atyre që udhëtojnë në vendet perëndimore e vendosin të bëhen agjentë sekretë, siç i quajnë xhihadistët. Udhëzuesi ofron instruksione sesi të prodhohen bombat artizanale, si të fshihen armët e si t’u shpëtosh detektorëve.

Top Channel