Banesat e rrezikuara të Gjirokastrës

18/11/2015 00:00

200 ndërtesa të vjetra në Gjirokastër rrezikohen seriozisht nga shembja. Vetëm në 30 për qind të tyre është ndërhyrë, ndërsa pjesa më e madhe janë në degradim e sipër.

Në shumë prej tyre ka edhe banorë. Një familje prej 7 anëtarësh jeton në një banesë 150-vjeçare, e cila është e pabanueshme.

Familja Luke, e vetmja që ka ngelur në këtë banesë, ka kërkuar ndihmë të vazhdueshme për restaurim të pjesshëm, por siç shpjegon Tahiri, banor i shtëpisë, situata vetëm sa është përkeqësuar, duke e bërë të vështirë tashmë edhe restaurimin.

Familja, që e braktis banesën gjatë natës nga frika për jetën, gjendet në listën e të pastrehëve që prej 15 vitesh, kur dhe filloi çarja e banesës, por ende nuk ka ndonjë zgjidhje për ta.

Banesa, që në Gjirokastër njihet si e “Karagjozatëve” nuk radhitet mes monumenteve të kulturës të kategorisë së parë, kështu që me shumë gjasa ka për t’u shembur së shpejti.

Edhe Drejtoria e Monumenteve ka kryer inspektime dhe gjendja është vlerësuar kritike për stabilitetin, por mungojnë fondet për ndërhyrje, kështu që duket se e vetmja zgjidhje për banorët mbetet braktisja.

Ngrehina ka shërbyer, pas sekuestrimit nga shteti dekada më parë, si qendër kulturore, spital, repart ushtarak, kopësht e çerdhe.

Top Channel