Buxheti 2016, tkurren shpenzimet për të ulur borxhin

18/11/2015 00:00

Qeveria ka dërguar në Parlament draftin për buxhetin e shtetit të vitit 2016. Në morinë e ligjeve që deputetët kalojnë në një vit, ai i buxhetit është një nga më të rëndësishmit, për shkak se prek drejtpërdrejt ose jo të gjitha familjet dhe bizneset.

Por, çfarë do të sjellë buxheti i ri për qytetarët dhe ekonominë?

Tipari kryesor i buxhetit të vitit 2016 është ashpërsia, ose korrektimi i fortë i llogarive të qeverisë për të ulur borxhin publik. Sipas draftit, vitin e ardhshëm huamarrja e qeverisë do të jetë vetëm 34.4 miliardë lekë, ose 2.2 për qind e prodhimit kombëtar. Ky është niveli më i ulët historik i defiçitit buxhetor, pra borxhit shtesë që merr qeveria në një vit.

Por si do arrihet tek ulja e defiçitit në këtë nivel? Të dhënat tregojnë se, e gjithë barra e uljes së borxhit do të bjerë në krahun e shpenzimeve. Vitin tjetër, shpenzimet e qeverisë do të jenë më të ulëta në vlerë sesa ato të vitit 2014 dhe vitit 2015. Ndërsa, nëse shprehen si raport ndaj prodhimit kombëtar, shpenzimet e qeverisë vitin e ardhshëm do të jenë 2.2 për qind më të ulëta se sivjet.

Megjithatë, këto nuk janë shkurtime që prekin sektorë apo institucione, por vijnë kryesisht si pasojë e lehtësimit të buxhetit nga borxhet e prapambetura. Shlyerja e tyre përfundoi këtë vit, ndaj në vitin 2016 buxheti do jetë i çliruar nga shpenzimet për detyrimet e prapambetura, të cilat dy vitet e fundit kanë marrë nga arka e qeverisë nga 2 deri në 2.5 për qind të prodhimit kombëtar.

Por ndërsa konsolidon nga shpenzimet, qeveria nuk bën të njëtën gjë në krahun e të ardhurave. Të ardhurat totale ndaj prodhimit kombëtar pritet që vitin tjetër të jenë 27.3 për qind nga 27.7 për qind që janë këtë vit. Edhe pse vitin tjetër pret të marrë rezultatet nga aksioni kundër informalitetit, qeveria është treguar e përmbajtur duke parashikuar një nivel më të ulët të ardhurash, një vendim ky ndoshta i diktuar edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Top Channel