Reduktohet duhanpirja, MSH: Ligji antiduhan ka dhënë efekte

18/11/2015 00:00

Më shumë se 3300 njerëz vdesin çdo vit në Shqipëri nga pasojat që shkakton duhanpirja. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë ky numër parashikohet të rritet në 7500, në vitin 2013.

Por në takimin e përfaqësuesve të ministrive të Shëndetësisë të vendeve të europës jug lindore, ministri Beqja thotë se situata në vend po përmirësohet, ndërsa i referohet të dhënave të Global Youth Tabaço Survey për vitin 2015.

“Duhanpirja për moshat 13 deri 15 vjeç në Shqipëri është përgjysmuar, u ul në 6 për qind nga 11.5 për qind që ishte në 2009. Meshkujt, shkalla e duhanpirjes u ul në 8.3 për qind, nga 17. 6. Femrat 3.6 nga 6.3”, thotë Beqja.

Qeveria thotë se rol të rëndësishëm kanë luajtur masat e marra për të ndaluar duhan pirjen në ambientet e brendshme.

“Gjoba nuk ishte fikse, ndërsa tani u vendosën fikse. Tre milionë lekë të vjetra ose 300 mijë lekë të reja për subjektin, 50 mijë lekë të reja për administratorët”, tha Eltar Deda.

Në periudhën shtator 2014 tetor 2015, sipas të dhënave të fundit të Inspektoriatit Shtetëror të Shëndetësisë, janë vënë 505 gjoba. Prej tyre 444 janë gjoba ndaj subjekteve, 27 ndaj administratorëve dhe 34 ndaj duhanpirësve në një shumë totale prej më shumë se 133 mln lekësh.

Top Channel