Protestë e të shkarkuarve nga administrata përpara Kryeministrisë

18/11/2015 00:00

Të larguarit nga Administrata Publike kanë protestuar përpara selisë së Qeverisë, në një organizim të Partisë Demokratike.

Ata kanë qëlluar me vezë në drejtim të Kryeministrisë, një formë proteste e huazuar nga studentët. Ata e konsideruan të padrejtë largimin e tyre nga puna, duke u shprehur se janë larguar për arsye politike.

Sipas përfaqësuesve të protestuesve, që kanë mbajtur fjalimin për mediat përpara Kryeministrisë, janë me qindra familjet e lëna pa punë, ndërsa situata ekonomike – sipas tyre, – është përkeqësuar.

Ata protestuan për pamundësi mbijetese, ndërsa deklaruan se protestat do të vijojnë si e vetmja rrugë e kërkimit të së drejtës së tyre.

Bashkë me të larguarit nga administrata, përpara Kryeministrisë u protestua edhe për largimet – sipas tyre masive, – nga Bashkia e Tiranës.

Leonard Olli, përfaqësuesi i PD-së në Këshillin Bashkiak, deklaroi se kreu i ri i këtij institucioni, Erion Veliaj po largon nga puna profesionistë me më shumë se 10 vite në punë nga Bashkia e Tiranës. Ai shtoi se, nuk janë vlerësuar madje as kriteret njerëzore, pasi janë larguar punonjës nga Erion Veliaj, që burim të të ardhurave familjare kanë pasur vetëm rrogën modeste në Bashkinë e Tiranës.

Top Channel