Dhori Kule kundër ligjit të arsimit të lartë

18/11/2015 00:00

Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, ka kritikuar ashpër ligjin e arsimit të lartë, i cili në janar hyn në fuqi.

Kule tha se universitetet publike do të duhet të konkurrojnë në formë jo të barabartë me universitetet publike të pavaruara, një term institucional, i cili nuk ekziston në asnjë vend të Europës.

“Nuk jemi absolutisht në kushte të barabarta. Jopubliket janë të lirë të vendosin vetë për çdo gjë, gjithë rregullimet janë bërë për universitetet publike. Nëse do të vendosen rregulla të funksionimit, të gjithë aktorët e arsimit të lartë duhet të jenë njësoj përballë ligjit. Ne nuk i kemi njësoj. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ka një nen të saj, që përcakon se universitetet në Shqipëri janë autonome. Nëse do të kthehen në të pavarura, atëherë ato shndërrohen në një të mirë private“, deklaroi Kule.

Një tjetër problem mbetet mënyra e zgjedhjes së stafeve drejtuese, por edhe ruajtja e autonomisë së universiteteve, një pikë delikate për të cilën Gjykata Kushtetuese ka ndërhyrë duke u dhënë të drejtë universiteteve.

‘Ligji i mëparshëm kishte një nen të tillë që thoshte: nëse ministri i Arsimit verifikon që vendimet e universitetit janë në kundërshtim me ligjin e arsimit të lartë, mund t’i anulojë. Gjykata Kushtetuese këtë e quajti antikushtetuese. Nuk i vlerëson dhe shfuqizon dot vendimet administrative të universiteteve asnjë institucion administrativ. Vetëm gjykata i vlerëson dhe shfuqizon”, shtoi Kule.

Kule i ka bërë këto deklarata gjatë një takimi me anëtarë të delegacionit të Komisionit për Arsim e Shkencë të Kosovës.

Rektori i Universitetit të Tiranës ka theksuar se Kosova është më e përparuar përsa i përket kuadrit ligjor të arsimit të lartë, por edhe trajtimit material të stafit pedagogjik.

Në këtë takim, Kule ka theksuar se Kosova nuk duhet të bëjë këto gabime të cilat cënojnë rëndë autonominë e universiteteve.

Top Channel