Peshëngritje, Qerimaj dhe Çalja pritet të na rikthejnë lavdinë

18/11/2015 00:00

Peshëngritësit Erkand Qerimaj dhe Briken Çalja do të marrin përsipër të rregullojnë imazhin e Shqipërisë në Botërorin e Amerikës, pas skandalit të një viti më parë, ku 3 sportistë elitarë rezultuan pozitivë në Botërorin e Kazakistanit.

24-vjeçari Çalja, i cili rikthehet pas një pezullimi 2-vjeçar, pohon se kjo periudhë i ka shërbyer për t’u kthyer më i fortë.

“Këto dy vite vuajtjesh që kam pasur i kam shfrytëzuar më së miri, të paktën për t’iu rikthyer edhe njëherë triumfit. Jam në një nivel shumë të lartë dhe besoj se më mirë se ç’kam qenë më parë. Me formën aktuale shpresoj që të jem mes 5 më të mirëve. Jam rikthyer për të triumfuar”, tha Briken Çalja, peshëngritës.

Nga ana tjetër, për kampionin shkodran të Europës, Erkand Qerimaj, qëllimi kryesor është kualifikimi për në Lojërat Olimpike “Brazil 2016”.

“Synimi kryesor është të kapim Lojërat Olimpike në Brazil, vitin e ardhshëm. Mund të tentojmë të provojmë edhe për vendet më të mira të botës. Për medalje nuk e di, sepse ajo është garë dhe, nëse gjithçka do të ecë mbarë ne do të konsumojmë provat për medalje. Mendoj se në çdo garë që do të vijë duhet të mundohemi t’ia përmirësojmë imazhin peshëngritjes dhe sportit shqiptar. Shpresoj që të rikthehemi sa më shpejt me medalje”, tha Erkand Qerimaj, peshëngritës kampion i Europës.

Qerimaj do të garojë më 24 nëntor në peshën 77 kg, ndërsa Çalja më 23 në peshën 69 kg.

Top Channel