Miratohet Strategjia Kundër Ekstremizmit; Hammond: Shqipëria, rol me rëndësi në NATO

18/11/2015 00:00

Qeveria shqiptare miratoi në mbledhjen e radhës Strategjinë Kombëtare për Luftën kundër Ekstremizmit të Dhunshëm. Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati bëri me dije rritjen e masave parandaluese të Tiranës zyrtare ditën që homologu i tij britanik, Philip Hammond, mbërriti për një vizitë zyrtare në vendin tonë. Strategjia është hartuar nga institucionet vendase, me asistencën ndërkombëtare.

“Është një strategji, ose përfundimi i një pune disamujore, ku veç elementit kundër veprimit parashikohen edhe mekanizma për ta parandaluar këtë fenomen me forma edukative, në një plan paksa më afatgjatë”, deklaroi Bushati.

Në masat edukuese që përmendi ministri Bushati përfshihet puna me komunitetet fetare, për të ruajtur dhe përçuar më tej harmoninë mes besimeve në vend.

Megjithëse vizita e Hammond, pothuajse 15 vjet nga vizita e një ministri të Jashtëm të Britanisë së Madhe, përkon me rritjen e masave antiterror të Tiranës dhe ngjarjet e Parisit, ai nuk e lidhi ardhjen e tij me ngjarjen e javës së kaluar në kryeqytetin francez.

“Jo, në fakt kjo vizitë nuk është në përgjigje të drejtëpërdrejtë ndaj ngjarjeve të Parisit. Por sigurisht nuk mund të ishin jashtë temës së diskutimit çështja e emigrantëve apo rreziku nga ISIS. Pra, janë të gjitha këto fusha që ne kërkojmë t’i fuqizojmë marrëdhëniet tona”, deklaroi Hammond.

Kryediplomati britanik bëri disa vlerësime për Shqipërinë, por tonet e tij të sigurta ishin tek roli i saj në NATO, ku disa herë e cilësoi vendin tonë si “aleatin e vendosur dhe të padiskutueshëm” të kësaj organizate.

“Ne e vlerësojmë shumë këtë bashkëpunim dhe besojmë se të dyja vendet kanë përfituar shumë prej tij. Prandaj, me vendosmëri le të vazhdojmë të ndërtojmë marrëdhënie edhe më të ngushta mes forcave tona të armatosura, për të rritur kontributin tuaj në operacionet e përbashkëta të NATO-s”, nënvizoi Hammond.

Më herët, me kryeministrin Edi Rama, ministri Hammond e vuri theksin tek reformimi i mëtejshëm i forcave tona të armatosura, kur tha se mirëpritet modernizimi i ushtrisë shqiptare dhe rritja e kapaciteteve tona si pjesë e familjes së NATO-s.

Nga ana e tij, kryeministri Rama nënvizoi rëndësinë e vizitës së shefit të diplomacisë britanike për diskutimin e sfidave gjithmonë e më të përbashkëta, kryesisht ato të ekstremizmit dhe shfaqjes së të gjitha formave kërcënuese të saj, sikundër edhe për diskutimin e bashkëpunimit dypalësh dhe integrimit.

Vizitën disaorëshe në Tiranë, Philip Hammond e mbylli me Saimir Tahirin, takim në të cilin rritja e bashkëpunimit dypalësh në kuadër të luftës kunder terrorizmit ishin gjithashtu në fokus.

Top Channel