Dhuna mbërthen Prishtinën

18/11/2015 00:00

Liderët e partive opozitare në Kosovë, të mbështetur edhe nga dhjetëra aktivistë dhe simpatizantë të tyre janë mbledhur të mërkurën në mesditë para objektit qeveritar për të protestuar kundër arrestimit të deputetes së AAK-së Donika Kadaj-Bujupi dhe lëshimit të fletë-arrestit edhe për Albin Kurtin dhe dy deputetë të tjerë opozitarë.

Pak minuta pas grumbullimit para qeverisë, liderëve opozitarë u është bashkuar edhe Albin Kurti.

Ka mjaftuar vetëm një njoftim i një aktivisti, i cili tregoi se Prokuroria ka kërkuar 30 ditë paraburgim për deputeten opozitare dhe protestuesit kanë nisur sulmet ndaj Policisë, ku përveç bojës është hedhur edhe koktejl molotovi. 

Për dallim nga herët e kaluara, kur Policia mbrohej nga oborri i qeverisë, të mërkurën pjesëtarët e njësive speciale përdorën planin e ndjekjes së protestuesve nga sheshi Nënë Tereza.

Edhe pse Policia arriti t’i largojë protestuesit nga sheshi, ata u rigrupuan para Rektoratit dhe u mësynë sërish në sheshin Nënë Tereza, por kësaj radhe Policia ishte edhe më e ashpër dhe gjatë ndjekjes arriti të arrestojë 13 protestues.

Ndërkohë, pasdite, përfaqësuesit e opozitës janë rigrupuar sërish para Qeverisë, nga ku deklaruan se nuk do të ndalen deri në lirimin gjithë aktivistëve të arrestuar.

“Kriza politike nuk zgjidhet me represion, as me arrestime të deputetëve dhe unë u shqetësova shumë kur dëgjova lajmin që prokuroria ka kërkuar paraburgim për zonjën Donika. Kjo nuk i leverdis askujt”, deklaroi Fatmir Limaj, kreu i Lëvizjes Nisma.

“Kjo e sotmja është një mbledhje e strukturave drejtuese për të treguar që ose do të na lirojnë të gjithë, ose do të na lirojnë të gjithë! Do të protestojmë derisa të lirohen të gjithë. Nuk ka më normalitet në asnjë orë të ditës, as të natës!”, tha deputeti i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj.

Sinc: Dardan Molliqaj, sekretar i VV

Pas deklarimeve para medieve, përfaqësuesit opozitarë morën lajmin për dënimin prej 30 ditëve për Donika Kadajn-Bujupi dhe me këtë rast përballja mes tyre dhe Policisë ka rinisur.
Policia ka ndërhyrë menjëherë me gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, ndërsa gjatë shpërndarjes disa protestues i kanë vënë zjarrin një makine që ndodhej në oborrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë. 

Policia e Kosovës përmes një komunikatë për media, ka bërë të ditur bilancin deri në orën 14:00, ku 4 policë janë lënduar, ndërsa 13 protestues janë arrestuar.

Policia ka njoftuar se ka konfiskuar nga protestuesit e 1 çantë të dyshuar të mbushur me mjete të dyshuara si koktejl molotovi.

Top Channel