Kazinotë jashtë qyteteve, zhvendosen në hotele me 5 yje

18/11/2015 00:00

Ligji i lojrave të fatit u rikthye në axhendën e komisionit të ligjeve pas 7 muajsh ndërprerjeje ende të pashpjeguar dhe në seancën e parë të shqyrtimit mori votën abstenim nga kryetari socialist i komisionit, Fatmir Xhafaj.

Zoti Xhafaj ishte i pari që hapi seancën e pyetjeve, duke artikuluar mundësinë e moratoriumit për kazinotë dhe lojrat e tjera të fatit.

“Ç’problem do të kishte për qeverinë nëse ne do t’i mbyllnim të gjitha lojrat e fatit me një moratorium, që këtë treg ta disiplinonim përfundimisht. Këshut me këtë treg, hiq një, vër një, shty një, nuk e di se sa do të mund të jemi të suksesshëm”, deklaroi Xhafaj.

“Ka një punësim prej rreth 5.600 punonjës në industrinë e lojrave të fatit dhe fakti që një pjesë të mirë të kazinove i nxjerrim nga vijat administrative dhe i vendosim në hotelet me 5 yje do të përbënte më tepër një mjet argëtimi për të zhvilluar turizmin, sesa të marrim një masë ekstreme për mbylljen e tyre”, tha zv.ministrja e Financave, Irena Beqiraj.

Zoti Xhafaj u interesua edhe për numrin e punonjësve të llotarisë kombëtare, por kjo ishte një e dhënë që zëvendësministrja e Financave nuk e kishte me vete. Aktualisht në vend funksionojnë me liçenca 4 bingo dhe 12 kazino.

Ligji parashikon që të gjitha do të zhvendosen jashtë qyteteve, por jo të gjitha menjëherë. “Pse nuk i heqim të gjitha nga qytetit dhe t’i çojmë jashtë”, pyeti deputeti demokrat Oerd Bylykbashi.

“Atyre që kanë një afat të përcaktuar në liçencë neve nuk mund t’ua shkelim një të drejtë të dhënë me ligj, edhe pse bëhet fjalë për ligjin e mëparshëm”, u përgjigj Beqiraj.

Përfaqësuesja e qeverisë nuk e sqaroi relatorin socialist të projektligjit, Ulsi Manja, sesa kazino kishin liçencë me afat të përcaktuar dhe kur u përfundonte afati.

Kjo bëri që deputeti i PDIU, Tahir Muhedini të fliste për selektivitet të qeverisë në trajtimin e çështjes. Zoti Muhedini ishte deputeti që bëri më shumë pyetje për të kuptuar se ku do të vendosen kazinotë pas miratimit të ligjit. Ministria e Financave dhe Njësia e Lojrave të Fatit nuk kishin një qëndrim të unifikuar.

“Kazinotë që do të liçencohen janë parashikuar të vendosen në zonat turistike, mundësisht në hotele ose resorte me 5 yje, në mënyrë që të jenë totalisht në shërbim të turizmit”, saktësoi Beqiraj.

“Nëse ju thoni resort ose hotel me 5 yje në Shqipëri, unë po ju them se në Shqipëri nuk ka hotel me 5 yje e as resorte. Në mund të më thoni ju një rast”, tha Muhedini.

“Lojrat e fatit janë në funksion të turizmit, por kjo nuk do të thotë për vendosje patjetër në hotele me 5 yje. Ligji në të gjitha kategorizimet flet për hotele me 5 yje, resorte dhe zona turistike. Përcaktimi i zonave turistike do të bëhet nga qeveria”, tha Denada Stoja, nga Njësia e Lojrave të Fatit.

Në ligj nuk përcaktohet një tarifë për liçencimin e kazinove. Njësoj sikurse numri dhe vendi ku do të vendosen, tarifa është lënë e hapur në varësi të vendimit të qeverisë.

Top Channel