Qeveria miraton ndryshimet në Kodin Rrugor

18/11/2015 21:35

Këshilli i Ministrave miratoi këtë të mërkurë ndryshimet në rregulloren e zbatimit të Kodit Rrugor, të porpozuara më herët nga Ministria e Transporteve.

Mes ndryshimeve më të rëndësishme kanë hyrë edhe koncepte të reja sikurse ndalimi për të rinovuar lejen e drejtimit ndaj atyre shtetasve që janë në gjendje varësie nga alkooli apo që nuk mund të ndajnë drejtimin e mjetit nga konsumi i alkoolit.

Por, ligji parashikon që kjo leje t’i lëshohet apo rinovohet atyre personave të alkolizuar që në përfundim të një periudhe gjashtëmujore asistence mjekësore do të rezultojnë të kuruar.

Nuk do t’u rinovohet leja e drejtimit as shtetasve që janë në gjendje varësie ndaj substancave narkotike, cilado qoftë kategoria e lejes së kërkuar.

Gjithashtu ndryshojnë edhe kërkesat e rregullat për marrjen e lejes së drejtimit, ku shtohet edhe dhënia e autorizimit për ushtrimin e drejtimit të mjetit jo më vonë se 6 muaj nga data e kalimit të testit të teorisë dhe në rastet kur humbet kjo vlefshmëri, kandidati rifutet në provën e kontrollit të njohurive teorike pa e përsëritur kursin, kundrejt pagesave përkatëse.

Ndërkohë, përgjatë kohës kur kandidati përgatitet pranë një autoshkolle për t’u pajisur me leje drejtimi tjetër nga ajo që ka, pasi ka humbur totalin e pikëve ose i është hequr leja e drejtimit ekzistuese, procesi i përgatitjes dhe testimit të tij përfundon pa ndërprerje.

Top Channel