Ligji i pronave, Manjani: Ndryshime për ta zgjidhur çështjen në 10 vjet

18/11/2015 00:00

Afati kohor që qeveria ka llogaritur po të lërë të pandryshuar ligjin aktual për kthimin dhe kompensimin e pronës arrin deri në 4 mijë vjet.

“Mund ta ruajmë ligjin që kemi sot dhe e zgjasim afatin, meqë ka rënë formalisht nga fuqia, por nuk e garantojmë dot. E garantojmë për 4 mijë vjet”, deklaroi në mbledhjen e komisionit ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani.

Por, për të shkurtuar 3990 vjet, qeveria ka ndryshuar ligjin dhe propozon ta zgjidhë situatën në 10 vjet.

“Por na duhet të zgjedhim mes letrës që nuk garanton gjë dhe realitetit që garanton diçka, për të arritur në një formulë ose zgjidhje të arsyeshme. Unë vetë e propozova problemin, duke qenë koshient se kemi një përplasje mbi parimin e sigurisë juridike”, nënvizoi Manjani.

Duke krijuar një fond prej 50 miliardë lekësh dhe një fond toke, qeveria thotë se do të vlerësojë pronarët me çmimin aktual, por duke e njohur pronën në gjendjen që ajo ka qenë kur u shpronësua.

“Po e citoj, përcaktuar tek neni 6, pika 1A: prona e njohur për kompensim vlerësohet në bazë të zërit kadastral që ka pasur në kohën e shpronësimit”, tha Sonila Qato, drejtoreshë e AKKP.

Shqiptarët u shpronësuan të gjithë me Kushtetutë në 76-n dhe opozita, duke iu referuar vlerësimit të gjendjes së pronës siç ka qenë atëherë, e cilësoi draftin e qeverisë plotësisht antikushtetues dhe një shrponësim të dytë të pronarëve.

“Ju përsëri rikonfirmuat konceptin e shpronësimit”, deklaroi deputeti Oerd Bylykbashi.

“Pse duhet të votojmë një ligj që i bie në ballë parimit të barazisë mes palëve? Ka që i marrin pronat në Strazburg me miliona dhe ne me kryeministrin Rama t’i marrim me qindarkat e 45-s”, tha deputeti tjetër Eduart Halimi.

“A është kjo me dy standarde? Pra, një vlerësim sipas kohës së shpronësimit dhe një vlerësim sipas Kushtetutës dhe vendimit të Gjykatës së Strazburgut, neni 41? Kemi qeveri që vepron dhe nuk ka barazi përballë ligjit”, u shpreh më tej kryetari i PR, Fatmir Mediu.

Qeveria dhe opozita e kaluan me tension këtë seancë pyetjesh, e cila pritet të bëhet edhe më e ashpër të premten, kur të pyeten grupet e interesit.

Top Channel