Abdeslam i qëllon një gruaje, por arma bllokohet

19/11/2015 09:30

Terroristi i afrohet një personi të shtrirë në tokë, poshtë një tavoline. I drejton armën në kokë dhe qëllon. Por arma bllokohet dhe terroristi ia mbath.

Janë këto pamjet e marra nga një kamera me qark të mbyllur në një nga lokalet e sulmuara të premten mbrëma në Paris nga grupi i terroristëve të ISIS.

Videoja është publikuar nga tabloidi britanik “Daily Mail”. Media britanike njofton e bindur se terroristi i filmuar në këtë rast është shtetasi belg, Salah Abdeslam. Ngjarja e filmuar ka ndodhur në ambjentet e jashtme të lokalit, me 26-vjeçarin që i ka vendosur në kokë armën gruas, e cila ka shpëtuar për mrekulli.

Persona të tjerë që ndodheshin të ulur në tryezat e lokalit janë strehuar menjëherë brenda tij.

Ndërkohë, vëllai i Salah ka ndezur disa qirinj në dritaren e shtëpisë së tij në lagjen Molenbeek të Brukselit, në nder të viktimave të atentateve të Parisit.

Në të njëjtën lagje është mbajtur mbrëmjen e së mërkurës një marshim i vogël i banorëve të saj. Me parullën “Nuk jemi të gjithë terroristë”, banorët msylimanë u janë përgjigjur akuzave se lagjia është një djep i xhihadit europian.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel