ATP Tour Finals, Nadal i jep leksion britanikut Murray

19/11/2015 00:00

Rafael Nadal i dha leksion tenisi britanikut Andy Murray në ndeshjen e dytë në grupin “Ilie Nastase” në ATP Tour Finals që po zhvillohet në Londër. Tenisti spanjoll zhvilloi ndoshta ndeshjen e tij më të mirë për këtë vit, teksa e mundi bindshëm numrin 2 të botës me rezultatin 2-0, për të prekur gjysmëfinalet e këtij turneu.

Nadal humbi vetëm gejmin e parë të sfidës me shërbimet e tij, por 29-vjeçari iu kundërpërgjigj menjëherë Murray duke arritur ta thyejë britanikun dy herë kur ishte në shërbim për të mbyllur setin e parë 6-4. Seti i dytë ishte akoma më i lehtë për Nadal, i cili ishte superior ndaj Murray në çdo aspekt. Tenisti iberik i mbylli shumë shpejt llogaritë në këtë set, të cilin e fitoi 6-1. Në ndeshjen e fundit në grup, Nadal do të luajë përballë bashkëkombasit të tij David Ferrer, me këtë të fundit që pësoi disfatë edhe ndaj Stanislav Wawrinka, duke u eliminuar përfundimisht nga turneu.

Ferrer e nisi mjaft mirë takimin me zviceranin, ndaj të cilit arriti të kryesojë 5-2 në setin e parë, por Wawrinka e rimori veten duke fituar 5 gejme radhazi, për të mbyllur këtë set në favorin e tij 7-5. Në setin e dytë, superioriteti i Wavrinkas ishte i dukshëm, me 30-vjeçarin që e fitoi këtë fraksion të lojës 6-2 dhe krejt ndeshjen 2-0. Wawrinka do të përballet në ndeshjen e fundit në grup me Andy Murray, me të dy tenistët që kanë ende shanse kualifikimi për në gjysmëfinalet e ATP Tour Finals.

Top Channel