Strazimiri: Qeverisë nuk i skuqet më faqja

19/11/2015 00:00

Deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri, deklaroi se debati parlamentar nuk ka kuptim nëse qeverisë “nuk i skuqet më faqja” përballë provave që jep opozita.

“Ne debatojmë në mënyrë që dikush këtu në Kuvend të skuqet. Kur skuqet qeveria do të thotë që gjërat po vijnë në vend. Por, keni të drejtë kur thoni që debati parlamentar nuk ka më kuptim, pasi qeveria nuk skuqet më. Qeveria thotë që kemi suksese dhe qytetarët po jetojnë më mirë, edhe pse po ikin përditë në Gjermani si sirianët. Një qeveri që nuk skuqet, duhet të largohet menjëherë”, tha Strazimiri.

Reforma në drejtësi, Halimi: Rama po mashtron

Eduard Halimi deklaron në Kuvend se opozita nuk është kundër votimit të reformës në drejtësi dhe se kryeministri Rama mashtron. Ai kujton miratimin e tre ligjeve të drejtësisë një vit më parë, që sipas Halimit nuk sollën asnjë ndryshim.

“Rama nuk kishte ndërmend që një vit më parë të reformonte drejtësinë me tre ligjet, as të shpëtonte KLD-në, as shkollën e Magjistraturës, as Gjykatën e Lartë. Tre ligje ishin vjet. Vjet nuk kisha prova, por sot kam. Sot kam se Rama mashtroi me tre ligjet vjet. Nuk ndryshoi asgjë në KLD, hoqi tre anëtarë dhe çoi atje tre të tjerë, më militantë se kurrë, kamikazë politikë. Nuk ndryshoi asgjë për magjistraturën, thjesht hoqi një drejtor dhe vuri një tjetër. Tek ajo shkollë që do të prodhojë gjyqtarë. Sot kam prova për këtë. Dhe sot sërish me këtë retorikë që përdoret sot për reformën në drejtësi unë them se Rama sërish kërkon t’i mashtrojë shqiptarët”, tha Halimi.

Ai sqaroi edhe kundërshtimet që ka PD, lidhur me paketën e reformës. “Kërkon të mashtrojë duke thënë dy gënjeshtra të mëdha. E para është se ne po e pengokemi reformën në drejtësi. Kjo është një gënjeshtër. Nëse ne kur ishim në pushtet hartonim ligje për drejtësinë, dhe ju nuk merrnit pjesë, sepse nxirrnit historinë e Ndrekos së Fierit ne jemi pjesë e këtij procesi. E dyta thotë se ne nuk po votokemi. Kush tha që nuk po e votojmë reformën? Ju e dini se nga ekspertët vendas dhe ndërkombëtar është hartuar një paketë, që është miratuar pa praninë e opozitës, dhe ne kemi vërejtjet tona lidhur me atë paketë, që janë parimore, që të çojnë në ato tre parime që thashë përpara. A jemi ne për të larguar gjyqtarët e prokurorët e larguar nga sistemi? A jemi ne që komisioni që do të bëjë largimin të emërohet nga parlamenti, nga politika? Jo ne nuk jemi me këtë. A jemi ne për luftë kundër koorporativzimit në KLD në Prourori? Po ne jemi për këtë luftë në gjithë sitemin e drejtësisë. A jemi ne që në KLD ku janë tre anëtarë të emëruar nga politika të bëhen pesë. Në Këshillin e Prokurorisë ku ka zero të emëruar nga politika të bëhen pesë? Jo. Nuk jemi që në këshillat të ketë njerëz të emëruar nga politika”, tha Halimi.

Tahiri- Berishës: Ju nuk e doni reformën në drejtësi

Në përgjigje të akuzave të ish kryeministrit Sali Berisha, edhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i ka kërkuar që të shkojë në prokurori për t’i faktuar ato.

“Dhe nëse familja jotëe ka qënë e zhytur në aferra nuk ke shkuar kurrë në prokurori, për të thënë minimalisht ‘ore ma merrni në hetim këtë djalin tim’. Nuk e ke bërë kurrë. Ti njeriu që ditke çdo gjë për familjet tona, nuk kë çuar një herë të vetme të flasësh për baxhanakun që nuk e njihje, për fshatin që nuk e dije se ku binte, dhe çbënte yt bir duke shkaktuar 26 viktima të pafajshme. Nuk është ky modeli. Unë përsëri besoj se ne këtu ndahemi në dy modele. Ti detyrën tënde e ke përjetuar për t’i shërbyer tët biri, tët bije dhe familjes tënde, ja ku ndahemi ne. Prandaj vjen këtu ti me këtë mendje se ke modelin tënd. Nëse ke merakun që unë jam bandit, që ne jemi bandit, nëse ke merakun që kjo ëshë organizatë kriminale pse nuk ke shkuar një herë të vetme në Prokurori. Unë do e bëja, në emër të detyrës”, tha ministri Tahiri.

Tahiri tha se është pikërisht e djathta që kërkon të pengoë reformën në drejtësi “Pse çoni kasnec në ambasada që të mos bëhet reforma në drejtësi. Pse dilni në çdo reformë dhe nxirrni pretekste për të mos bërë reformën. Pse nxirrni pretekste, pse nuk e miratoni? Por ju e dini shumë mirë që nëse miratojmë një ligj këtu për të dënuar për herë të dytë ata që janë dënuar një herë dhe për të dënuar për herë të parë ata që nuk janë dënuar asnjëherë. Unë nuk e di nëse ti je në këtë listë”, tha Tahiri.

Akuzat e Berishës, Majko: Prokuroria të hetojë. Votoni reformën në drejtësi

Deputeti i majtë Pandeli Majko i është përgjigjur ashpër deklaratave të ish kryeministrit Sali Berisha. Ai ka kërkuar nga prokuroria që të hetohen të gjitha akzuat e opozitës.

“Këtu nuk dihet kush është rendi i ditës, kush është koha e të folurit, dhe mbi të gjitha nuk po merret vesh se si fillon dhe si do mbarojë seanca parlamenare. Është një seanca ku kushdo vjen, flet sa të dojë, shan kë të dojë dhe publikun me të drejtë, e ka marrë neveria për ditën e enjte për atë që dëgjon nsë Parlament. Gjithë bota diskuton rrezikun e terrorizmit, në parlamentin e shqipërisë qeveria shpallet kriminale. Po mirë mo doktor, që keni zbuluar gjithë këto fakte me kriminelë, krime, mobokraci e ku di unë. Jam kuriozë të di, ky Prokurori i Përgjithshëm që nuk përmendet asnjëherë, në asnjë rast si një njeri që mban përgjegjësi për një opozitë që çdo ditë paraqet fakte pse nuk veprojnë këta? Pse nuk e përmend emrin e Prokurorit të Përgjithshëm?”, tha z Majko.

E vërteta në Shqipëri është që kemi krijuar një sistem të paprekshmish tha Majko, dhe se duhet votuar reforma në drejtësi.

“Ne sot jemi ulur nga mëngjesi në darkë, flasim për reformën në drejtësi, për të hequr kriminelët pra, dhe kur flitet për reformën e drejtësisë të gjithë bllokoheni. Të gjithë historinë tuaj politike e trajtoni te ligji i dekriminalizimit, po ça është? Të ridënojmë ata që janë dënuar një herë. Po këtu bëhen a nuk bëhen 5 veta që janë dënuar një herë. Nuk është kështu. E vërteta është që ne kemi në Shqipëri një sistem të kalbur, dhe ky është sistemi i drejtësisë, dhe ky sistem është ndërtuar nga ne, nga kjo sallë. Nëse doni të heqim kriminelët ju kemi ftuar dhe jo vetëm ne, jemi hequr një hap pas dhe kemi lënë të flasin vetëm ekspertët ndërkomnëbtar Partia Demokratike të vijë të ulet me ne e të votojë reformën e drejtësisë. Mos u hidhni degë më degë. Lërini këto historira. E vërteta e vërtetë në Shqipëri është që kemi krijuar sistem të paprekshmit që qëndrojnë në këtë sallë. Treçereku jonë i ngjanë anëtarëve të byrosë politike të viteve ‘90 të matufepsur, e flasim këtu për histori me kriminela”, tha Majko.

Berisha: Kjo është qeveria e ‘shullazëve”. Arben Frroku është në Tiranë

Akuza të forta ka bërë ish kryeministri Sali Berisha ndaj qeverisë. Ai e quajtui atë qeveria e “shullazëve”, të cilët sot nuk mund tu flasin për etikë policëve. Arben Frroku është në Tiranë, tha ish kryeministri, dhe u la të arratisej ditën që kishte gjyqin.

“Banditi nga rruga vendoset në fron, ose banditi dikton çdo gjë atij që sundon dhe që drejton. Drejtohet nga banditët, nga shullazët në rrugë, shullazët në Parlament dhe në qeveri, nga kryeshullazi në krye të qeverisë. S’do të doja kurrë të bëja një akuzë të tillë. Unë kam me dhjetëra epitet për Edi Ramën, secilin të merituar, po më i merituari është kryetair i banditëve. Marrim rastin e Arben Frrokut Doni t’u lexoj se çfarë akuzash të rënda ka hedhur ai kundër qeverisë së mëparshme për vrasjen e tij.

Çfarë ndodhi me Arben Frrokun? Bëri një mijë manovra me dëshmitarë okularë të ngjarjes, pasi i çoi vrassësit në shtëpinë ku e kishin strehuar, dhe i thanë që kokën ose dëshminë, ai qëndroi në dëshminë e tij. Rastisi të jetë qytetar i ndershëm. Treshja politike e shpalli të pafajshëm. I besoj vrasësit dhe jo dëshmitarit me sy që pa flakët e kallashnikovit, pa breshërinë tek shkrehi mbi gjoksin e komisarit. Arben Frroku i liruar u shndërrua në aleat menjëherë të PS-së, dhe në takimin publik që bëri me kryebanditin Edi Rama iu tha mbathja, dhe të nesërmen kur do të bëhej gjykimi ai iku.

Falangat e krimit e liruan të kalojë në Murriqan pa vulën shtetërore. Po pse? Po për banditin nuk ka ligj. Ligjet janë në letër. Dhe dilni këtu bëni moral. Ja që u gjet një shtet tjetër fqinj dhe e bllokoi. I tha ti ske vulën e vendit tënd, nuk mund të kalosh. Çfarë ndodhi më pas? Ministri mori në telefon policinë e vendit fqinj, kaloje i tha se nuk ka probleme. është ‘clean’ i pastër, kryevrasësi i komisiarit dhe dilni këtu e derdhni lot për policët. Hiporkizia është maska më e shëmtuar e fytyrës tuaj. U shpreha se e nisët për në Kubë, rezulton që ai të jetë në Tiranë, të jetë i lirë, të mos e prekë njeri, sepse kryemobi, kryebanditi i detyrohet kokë e xhep atij”, rrëfen Berisha.

Akuza të forta ish kryeministri bëri dhe për lidhjet me Emiljano Shullazin, që sipas tij, policia e kapi por u la i lirë. Ngjarja e rëndë tha Berisha është dhe kërcënimi i kryetarit të opozitës, duke akuzuar Edi Ramën për mbyllje të çështjes në Prokurori.

“ Sigurisht kërcënimi i liderit të opozitës përbën ngjarje të rëndë për vendin dhe të rëndë ndërkombëtare. Miq e partnerë u shqetësuan, opozita bëri punën e vet. Ndërhyrja brutale e bandidit në prokurori mbylli dosjen dhe e pastroi nga çdo gjë”, tha Berisha.

Duke iu drejtuar minsitrit të Brendshëm Saimir Tahiri ai kërkoi të përgjigje se kujt i përkiste një skaf. “I kujt është skafi Venus ES 640, martikull BZ BE 1007445. I kujt është ky skaf? Ku ndodhet ky skaf? Për çfarë është përdorur? Çlidhje ka me ty? Na thuaj ndonjë gjë për të. Thuaj sepse është pyetje konkrete, se Venus pëlqehet shumë Pandeli. (Majkos) Nëse do të të ndihmoj dhe mund të të ndihmoj, po më mirë shko në Prokurori, se e ke të evidentuar”, tha Berisha.

Tahirit i thyhet këmba e karriges, PD: Pesha e krimit mbi supe

Një incident në Kuvend ka shkaktuar ilaritet dhe simbolika mes deputetëve. Minstrit të Brendshëm Saimir Tahiri i është thyer këmba e karriges, në momentin kur duke folur ishte Arben Ristani, deputeti i PD-së.

Kjo kaloi jo pa të qeshura në sallë, teksa stafi i Kuvendit ndërroi menjëherë karrigen. Deputetët demokratë duartrokitën mes të qeshurash, teksa Ristani duke modifikuar fjalimin e tij u shpreh se “Këta karrigethyer duhet të largohen!”.

Më vonë edhe deputeti demokrat Flamur Noka përdori këtë simolikë duke e quajtur minsitrin si “narkotrafikant”. “Rri këtu rri, se tu thye karrigia nga pesha e krimit që mban mbi supe ti që ike. Rrije këtu. Taulant, të ngeli shansi i keq të dëgjosh vetëm ti se ai nuk rri këtu. (për Saimir Tahirin)”, tha Noka.

Ristani: Etika në polici? Jemi në stadin e arrogancës për të shkelur ligjin

Duke folur për etikën në polici, deputeti i opozitës Arben Ristani tha se nuk mund t’u flitet policëve për etikë morale në një kohë që jemi në stadin e arrogancës për të shkelur ligje dhe rregulla.

“A jemi ne në stadin të dënojmë njerëzit moralisht se kanë menduar se kanë shkelur të drejtat e të tjerëve, kur jemi në stad tjetër të arrogancës për të shkelur ligje e rregulla e jo më të diskutojnë për etikë. E ç’të thonë policët sot kur shefat e tyre marrin 50 euro për çdo rrënjë hashashi të mbjellë. Çfarë mendojnë policët sot të shohin kamionët e ngarkuar me drogë dhe nuk e ndalojnë dot, ose në rast se e ndalojnë u bie telefoni dhe nuk e përballojnë dot nivelin e kriminelit që kanë kapur apo telefonuesit. Çfarë mund të themi kur dy punonjës të policisë u akuzuan se fshehën shkresën e interpolit për kapjen e një deputeti të inkriminuar. Vajtën para drejtësisë dhe dolën të pafajshëm. Por kur ata dalin të pafajshëm, ku shkon faji? Kush tjetër veç ministrit?”, tha Ristani.

Berisha: Rama të jetë në seancë, jo në ekspozita të shkarravinave të tij

Ish kryeministri Sali Berisha ka kërkuar që në seancën e kësaj të enjte të jetë i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama. Ky i fundit ndodhet për vizitë zyrtare jashtë shtetit.

“Kryeministri nuk është një oficer i shërbimeve inteligjente që niset për një mision të caktuar, të fshehtë dhe sekret dhe duam të dimë publikisht ku ndodhet shkëlqesia e tij. Pasi qarkullojnë llafe se ka vajtur të hapë me paratë e shqiptarëve një ekspozitë të shkarravinave të tij”, tha Berisha.

Drejtuesja e seancës, Valentina Leskaj, informoi se kryeministri ndodhej aktualisht në një takim me homologun e tij turk.

Paloka: Rama t’i përgjigjet deklaratave të ambasadorit Lu

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka kërkoi në Parlament që kryeministri Edi Rama të përgjigjet për deklaratat e drejt për drejta të ambasadorit amerikan, Donald Lu.

“Para se të diskutojmë sa herë në ditë do të rruhen policët, do të doja që këtu të vinte kryeministri i vendit dhe t’i përgjigjej fillimisht deklaratave të rënda të ambasadorit të SHBA, deklarata që janë bërë publike dhe tani i dinë të gjithë shqiptarët, deklarata për deputetë të inkriminuar, ministra dhe gjyqtarë të korruptuar, deklarata që së fundmi përmendnin me emër kriminelë që janë lënë të lirë, nuk janë vënë para drejtësisë dhe këtë rast akuzat kanë qënë mëse të drejt për drejta, për ministrin Tahiri dhe këtë qeveri.

Kushdo e di që Shullazi nuk vajti fare para drejtësisë, Frroku u la i lirë të arratisej jo prej drejtësisë, por prej forcave të rendit, prandaj do të doja që këtu të vijnë e të përgjigjen për këto akuza”, tha Paloka.

Paloka u shpreh se për këto raste ka të dënuar, dhe jo siç tha ambasadori. Sekretari i përgjithshëm i PD-së, dhe kreu i grupit parlamentar të PD-së janë dënuar tha ai, se kanë thënë të njëjtat gjëra që tha edhe ambasadori.

“Njëkohësisht doja të bëja një korrigjim te deklarata e ambasadorit. Nuk është e vërtetë që askush nuk është dënuar për Shullazin dhe Frrokuin pasi është dënuar Sekretari i Përgjithshëm i PD, dhe kreu i grupit të PD, janë dënuar se fakti që kriminelë të tillë lirohen nga policë pasi janë miq të ministrit të Brendshëm. Këto denoncime të njëjta me ambasadorin amerikan, ne të dy  jemi dënuar. Nuk e di se çdo të bëjë Rama a do ta hedhë dhe ambasadorin në gjyq për të nëjtat akuza. Nuk mund të diskutojmë ne sot se si duhet ta mbajën kapelen policët, ndërkohë që ministrin e akuzojnë jo vetëm opozita, jo vetëm mediat, po dhe ndërkombëtarët për lidhje direkte me krimin”, tha Paloka.

Më pas ai kërkoi një minutë heshtje për viktimat e tragjedisë së Parisit.

Top Channel