Denoncimi i “Fiks Fare”, Manjani: Procedim penal ndaj ish-drejtorit

19/11/2015 00:00

Emisioni investigativ “Fiks Fare” në Top Channel ka transmetuar mbrëmjen e së mërkurës pamje të aferave korruptive të drejtorit të Burgut të Drenovës, në Korçë, për t’u bërë favore të dënuarve.

Në pamje shfaqet nëna e një të dënuari, të cilin e kishin hequr më parë nga puna që bënte në kuzhinën e burgut, ndërsa për ta rikthyer, drejtori Laert Çeliku merr 300 mijë lekë të vjetra.

Gjatë emisionit u shfaq edhe një video, ku një i dënuar, që vuante dënimin në Burgun e Drenovës, tregonte se kundrejt pagesave në burg futeshin që nga celularët e deri te drogat e forta.

Madje, kundrejt pagesave realizohehsin edhe takimet speciale. Sakaq, më herët Ministria e Drejtësisë kishte shkarkuar nga detyra drejtorin e Burgut të Drenovës, Laert Çeliku, ndërsa pritet që ndaj tij të nisë edhe procedimi penal, gjë të cilën e konfirmoi edhe ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, që falenderoi emisionin “Fiks Fare”, ndërsa shfrytëzoi rastin për të bërë një apel.

“Unë e kam falenderuar “Fiks Fare” në mënyrë të veçantë për atë denoncim publik që bëri. Ai ishte i shkarkuar prej meje dhe për gjëra të tjera po nuk ka rëndësi kjo, e rëndëishme është tu shkojmë gjërave deri në fud. U bëj thirrje nëpunësve të shtetit, shërbeni sipas ligjeve dhe në afat. Histori të tjera nuk do t’i toleroj”, tha Manjani.

Top Channel