Zgjedhjet për kreun e FRPD-së, denoncimi i të tërhequrve: U abuzua me emrat e hierarkisë

19/11/2015 00:00

Gara për kreun e FRPD-së ka nxjerrë në skenë dhe pakënaqësitë e zbardhura kryesisht nga tre kandidatët të cilët janë tërhequr ende pa filluar mirë gara. Enri Ceno, Greta Koçi dhe Lisandër Hoxha kanë zbardhur arsyet e largimit të tyre gjatë intervistave të dhëna në emisionin “Top Show”, duke pranuar se në garë ndërhyrjet deformuan vullnetin e votës së anëtarësisë.

Ceno është më i drejtpërdrejtë kur thotë se vota u ndikua dhe se kandidatët e tjerë abuzuan me emrat e hierarkisë së partisë në funksion të orientimit dhe kontrollit të votës.
 
“Vendimi për t’u tërhequr nuk erdhi as si rezultat i ndonjë pakënaqësie të çastit, as si pasojë e ndonjë kalkulimi politik, as për shkak të ndonjë nevoje të papërballueshme për të trafikuar vota dhe këmbyer influenca. Vendosa të tërhiqem pasi konstatova në mënyrë të përsëritur se në shumë aspekte ne nuk jemi më të mirë sesa fenomenet që duam të luftojmë. Vendosa të tërhiqem duke i qëndruar bindjes sime që një betejë e ndershme mes miqsh dhe kolegësh duhet bërë ballë për ballë.Vërejta se ndërhyrjet deformuan vullnetin, vërejta se mbështetja nëpër sallat e debatit nuk u reflektua tek vota nëpër kuti. M’u bënë me dije situata të papranueshme në lidhje me ndikimin e votës, situata të cilat ne me shumë zell i denoncojmë tek kundërshtari ynë politik. Vërejta gjithashtu një abuzim të përsëritur me emrat e hierarkisë së partisë në funksion të orientimit dhe kontrollit të një vote, e cila në parim dhe në praktikë do të duhej të ishte e lirë. Gjithsesi, rruga në politikë është e gjatë, aty ku një derë mbyllet, një tjetër hapet. Por unë nuk e ndërtoj trasenë time mbi gënjeshtra, prapaskena, hatërmbetje, cmirë dhe armiqësi. Për mua do të jetë gjithmonë e më shumë më i vlefshëm besimi dhe respekti ndaj atyre që gjatë një viti kam takuar dhe njohur në çdo cep të Shqipërisë», deklaroi Ceno.

Ndërsa Greta Koçi, nënkryetarja aktuale e FRPD-së dhe Lisandër Hoxha, të dy kandidatë të tërhequr nga gara, megjithëse thonë se u tërhoqën për arsye personale, më shumë duket se largimi është bërë për një strategji që lidhet me maksimizimin e votës për njërin nga kandidatët, Belind Këlliçi.
 
«Duke parë platformat e kandidatëve të mbetur, kam deklaruar mbështetjen time ndaj kandidatit Belind Këlliçi. Të pesë kandidatët kanë qenë vlerë e shtuar e PD-së, dikush më pak në FRPD, por më shumë në punët e tjera në parti. Unë e shoh shumë të mirë vendimin e bashkimit të votave ndaj një kandidati që është Belind Këlliçi.  Në fund të fundit, gara është e vështirë kur është brenda shtëpisë sepse ne jemi në një familje të madhe, ku jemi miq me njëri-tjetrin dhe sigurisht është mirë kur ka garë. Por besoj që tani jemi në rrugën e duhur për të finalizuar dhe fituesin”, tha Koçi.

Lisandër Hoxha tha: “I hyra garës sepse në fakt ka disa vite që nuk bëhej garë. Kisha bindjen se duhet të isha pjesë e kësaj gare edhe falë eksperiencës edhe falë njohjes së terrenit dhe kontributit tim të gjatë në FRPD. Për të krijuar një strukturë shumë të mirë dhe operacionale në favor të PD-së. Tërhiqem nga gara, por jo nga politika. Formati i garës na detyron që të jemi dhe logjikë dhe të kuptojmë matematikën e ngjarjeve. Unë mendova dhe jam i bindur që sot bashkimi i votave brenda partisë, së bashku me shkrirjen e stafeve, është gjëja më e mirë që kemi bërë”.

Gara për kreun e FRPD-së për herë të parë po bëhet me anë të parimit: “Një anëtar, një votë” në gjithë anëtarësinë demokrate në vend. Tre kandidatët e mbetur që vijojnë ende garën, Ervin Salianji, Belind Këlliçi dhe Oriela Nebiu, të ftuar në emisionin “Top Show”, kanë shpalosur paltformat e tyre për mënyrën sesi duan të transformojnë këtë strukturë. Ata kanë hedhur poshtë denocimin e kolegëve të tyre të tërhequr, duke pohuar se gara mes tyre është e ndershme dhe transparente. Anëtarësia e rifreskuar e FRPD-së, sipas tyre, do të arrijë të zgjedhë kreun e duhur për t’i udhëhequr pas 13 vitesh mungesë zgjedhjesh për këtë strukturë.

Top Channel