Paketa e re fiskale, ndryshimet dhe efektet e taksave të reja 

19/11/2015 15:45

Ligji i parë fiskal që ndryshon është ai i akcizës, i cili rrit taksat për prodhuesit vendas të birrës dhe i ul ato për birrën e importit. Sipas draftit për birrën e vendit, akciza rritet nga 360 lekë për hektolitër, që është tani, në 400 lekë për hektolitër. Në të njëtën kohë, për birrën e importit, akciza ulet nga 710 lekë për hektolitër në 600 lekë.

Taksa e dytë që rritet është ajo që vendoset mbi primin e sigurimeve. Aktualisht, mbi çdo policë sigurimi ka një taksë prej 3% e çmimit bruto. Nga 1 janari i vitit të ardhshëm, qeveria propozon që kjo taksë të bëhet 10%.
 
Ndërkohë, për herë të parë, vitin e ardhshëm do të futen në taksim edhe trojet, taksat e të cilave do të variojnë nga 1400 lekë për hektarë në zonat e thella të vendit, deri në 5600 lekë në bashkitë e kategorisë së parë si Tirana apo Durrësi.
 
Një tjetër taksë që rritet është ajo e kontributeve që paguhen nga të vetëpunësuarit e profesioneve të lira, të cilat nga 1 janari do të llogariten mbi pagën maksimale dhe jo si tani që llogariten mbi dyfishin e pagës minimale. Kjo masë prek avokatët, mjekët noterët, kontabilistët dhe stomatologët e vetëpunësuar. Sipas Ministrisë, aktualisht sistemi i kontributeve për këto profesione është i deformuar, pasi një mjek që punon në biznesin e tij si i punësuar paguan tre herë më pak sesa një mjek që është i punësuar në një biznes privat ose në shtet. Me ndryshimet e reja që hyjnë në fuqi nga 1 janari, kontributi për profesionet e lira rritet deri në 3 herë, nga 6500 lekë aktualisht, në 22 mijë lekë vitin tjetër.

Veç kësaj, një tjetër taksë me efekt pozitiv në buxhet është ajo e fjetjes në hotel, e cila nga viti tjetër do të jetë 140 lekë për çdo natë. Po kështu, pritet që në 2016-n të ndryshojë edhe renta mbi mineralet jometalike, e cila nga përqindje mbi çmimin do të bëhet fikse.

Veç këtyre, nga 1 janari qeveria ka propozuar edhe një taksë të re prej 21 mijë lekësh në vit që do të vendoset mbi makinat me fuqi motorike më të madhe se 3 mijë kubikë. Këto janë taksat që rriten.

Por, paralelisht qeveria ka propozuar dhe një masë, e cila lehtëson një numër të madh biznesesh. Kjo është heqja e taksës për bizneset me xhiro deri në 5 milionë lekë dhe ulja e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për bizneset me xhiro nga 5 në 8 milionë lekë. Një masë kjo që prek rreth 100 mijë ndërmarrje.
 
Në total, ndryshimet e propozuara e rrisin presionin fiskal në ekonomi. Ndonëse heqja e taksës për biznesin e vogël e lehtëson atë me 1.3 miliardë lekë në vit, ndryshimet e taksave të tjera e rrisin barrën me 3.1 miliardë lekë shtesë. Kjo do të thotë se rritja neto e barrës fiskale për vitin e ardhshëm do të jetë afro 1.8 miliardë lekë, që gjithsesi mbetet gati e papërfillshme.

Top Channel