Gratë deputete të opozitës, marshim në mbrojtje të Kadaj-Bujupit

19/11/2015 00:00

Me mbishkrimet në pankarta “Me Donikën, për Kosovën”, “Deputetja Donika Kadaj-Bujupi të kthehet në Parlament”, “Shteti që arreston deputetët është shtet diktatorial”, gratë deputete nga radhët e opozitës marshuan nga selia e AAK-së, për t’i dalë në mbrojtje shefes së grupit parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi.

Gjykata Themelore në Prishtinë caktoi të mërkurën masën prej 30 ditësh paraburgim për deputeten e AAK-së.

Deputetja e këtij subjekti politik, Time Kadrijaj tha se, pozita mundet t’i arrestojë të gjitha gratë deputete, por nuk mund ta ndalë rrugën dhe qëllimin e opozitës për tërheqjen e marrëveshjeve, – siç i quajti, – në dëm të vendit.

Deputetja e Vetëvendosjes, Shqipe Pantina tha se, arrestimi i Donika Kadaj-Bujupit dhe ndjekja e deputetëve të tjerë po ndodh vetëm sepse ata po kryejnë me ndershmëri punën e tyre.

Të gjitha veprimet e bëra brenda Kuvendit të Kosovës, gratë deputete i kanë quajtur veprime politike, të cilat lejohen me synimin për të ndalur marrëveshjet për Asociacionin e komunave serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi.

Top Channel