Krimi, debate të ashpra në Parlament

19/11/2015 00:00

Marrë shkas nga ligji për etikën në Policinë e Shtetit dhe deklaratat e ambasadorit amerikan Donald Lu për Arben Frrokun dhe Emiljano Shullazin, ish-kryeministri Berisha ka vendosur në qendër të akuzave qeverinë, duke veçuar prej saj Edi Ramën dhe Saimir Tahirin për lidhje me përfaqësues të botës së krimit.

Ndërsa kryeministri nuk ishte këtë seancë, ministri i Brendshëm deklaroi se detyra më legjitime e këtij Parlamenti është reforma në drejtësi.

Sali Berisha: Kjo qeveri është një organizatë e mirëfilltë kriminale! Një qeveri që sillet si organizatë kriminale ndaj qytetarëve të vet, do të ketë fundin që meriton!

Saimir Tahiri: Doni të dalim të gjithë bashkë para drejtësisë?! Urdhroni të votojmë reformën në drejtësi. Bëjmë reformën në drejtësi që të çojmë këdo para drejtësisë dhe të mos fshihemi pas imunitetit politik. Këtë bëni. Këtë sot nuk e kemi bërë ende dhe për fajin tuaj me “gjingjonëra” e shokë!

Sali Berisha: Duhet të lash gojën kur të përmendësh emrin e tij. Absolutisht! Sepse Gjin Gjoni pati kurajon t’i nënshtrohet të gjithë procesit ligjor për akuzat monstruoze tuajat.

Saimir Tahiri: Unë nuk dua të besoj se ky është qëndrimi i deputetëve që ke në krah. Një gjyqtar që është simbol i paligjshmërisë dhe korrupsionit në sistemin e drejtësisë.

Në sulmin e ish-kryeministrit për lidhje me të përfolurit për përfaqësues të botës së krimit, nuk ishte vetëm ministri i Brendshëm.

Sali Berisha: 4-5 muajt e fundit, Shullazi është ashtu edhe kështu me Edi Ramën.

Pandeli Majko: Unë po eci me logjikën e naivitetit. Mirë mo doktor, edhe ju kolegë të PD-së që keni zbuluar gjithë këto fakte, jam kurioz të di pse nuk vepron Prokuroria e Përgjithshme? Përse nuk e përmend emrin e Prokurorit të Përgjithshëm? Rregulloren e Parlamentit e ka marrë lumi, por e ka marrë lumi mirë ama!.

Sali Berisha i drejtohet ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati: Po ta dinte ministri anglez se ti ke lidhje me Genti Xhixhën në Kubë, do thoshte një dy fjalë. Na i thuaj pak, sepse sigurisht ata na marrin për zyrtarë seriozë, apo jo?!

Reagon ministri Bushati: Shko në organet e prokurorisë, bëj denoncimet. Ke qenë President i Republikës, ke qenë dy herë kryeministër, ke qenë për 25 vjet sekretar i Partisë Komuniste të universiteteve. Shko bëj denoncimin! Respekto shtetin dhe mos hajde këtu të na shesësh të pavërteta që dëmtojnë pozicionin strategjik të Shqipërisë. I nderuar zoti deputet, çdo proces ka një kohë të caktuar për secilin prej nesh, më vjen keq t’ua kujtoj që koha juaj ka mbaruar.

Top Channel