Mustafa në Bruksel, takohet me udhëheqësit e BE-së

19/11/2015 20:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ndodhet në Bruksel për një vizitë treditore, ku është takuar me përfaqësues të institucioneve kryesore europiane.

Ashtu si në takimin me kryeparlamentarin Martin Schulz, konferenca e përbashkët për shtyp  mungoi edhe pas pritjes nga Presidenti Jean-Claude Juncker.

Në njoftimin për shtyp të Komisionit Europian thuhet se Presdienti Juncker përgëzoi kryeministrin për firmosjen e MSA-së, e cila pritet të rris bashkëpunimin dhe të nxisë ekonominë e Kosovës.

Për të përfituar sa më shumë nga marrëveshja, ekzekutivi europian këshillon autoritetet të nisin me zbatimin e saj, si dhe të bëjnë progres mbi fushat e theksuara nga Komisioni në raportin vjetor.

“Zbatimi është thelbësor” edhe për vendimet e marra në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, sipas Brukselit. Në lidhje me zhvillimet politike, deklarata e Komisionit thotë se “kryeministri paraqiti përpjekjet për rikthimin e jetës normale parlamentare” dhe se “të dy u pajtuan që dallimet politike mund të trajtohen vetëm përmes diskursit politik në kuvend, dhe jo me dhunë për qëllime politike”.
 
Përsa i takon dialogut për liberalizimin e vizave, megjithëse është arritur një progres i rëndësishëm, Presidenti Juncker vuri në dukje se ende mbeten disa punë të mëtejshme për t’u kryer. Sipas njoftimit për shtyp, dy udhëheqësit shkëmbyen edhe mendime për krizën e refugjatëve dhe mbi përpjekjet kundër terrorizmit.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel