AMA, sekuestron transmetuesin kabllor

19/11/2015 20:05

AMA ka vijuar kontrollet dhe verifikimin e subjekteve që ushtrojnë veprimtari në tregun audio-vizual, për të siguruar konkurrencën e ndershme midis operatorëve.

Pas verifikimeve në terren në stacione televizive, radiofonike dhe shpërndarësve kabllorë, është konstatuar ushtrimi i këtyre veprimtarive në kundërshtim me aktet normative në fuqi tek subjekti kabllor “TV kabllor jug”, i cili vijonte punën përtej afateve të autorizuara,  ndërsa nuk kishte bërë kërkesë për rinovim pranë AMA-s.

Krahas ushtrimit të aktivitetit jashtë afateve, subjekti nuk kishte shlyer detyrimet financiare ndaj autoritetit që prej vitit 2011 dhe vijonte transmetimet në shkelje të ligjit.

Subjekti në fjalë ishte ndëshkuar më parë me gjobë në vlerën e 5 milionë lekëve për shkeljet e bëra dhe ndaj tij u vendos së fundmi masa e sekuestrimit.

Referuar rastit të mësipërm, AMA u bën thirrje të gjitha subjekteve të tilla për rinovimin e licencave dhe autorizimeve, siç parashikohet në ligjet në fuqi. Ndërkaq, inspektimet në terren, siç bën me dije AMA, do të vijojnë në të gjithë Shqipërinë.

Top Channel