Gjykatat administrative, ekspertët: Një minireformë, jo në rrugën e duhur

19/11/2015 00:00

Dy vite nga hapja e gjykatave administrative në vend, gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani, pjesë e Kolegjit administrativ në të, mendon se nisja nga puna e këtyre gjykatave nuk u krye në mënyrën e duhur.

Duke e konsideruar një minireformë të papërfunduar, zoti Dvorani pohon se gjykatat administrative u hapën pa u dhënë gjyqtarëve edhe një ligj adminsitrativ, sipas të cilit gjyqtari të dëgjojë jo vetëm interesat e individit dhe shtetit, por edhe të publikut, në rastet kur institucionet cënojnë interesat e qytetarit me vendime të caktuara.

“Në fakt kjo po krijon shumë probleme. Një nga arsyet që ende duket sikur nuk ka shumë sukses Gjykata Administrative është fakti se ne e krijuam atë, por së pari nuk dhamë procedurën e gjykimit administrativ. Dikush do të thotë që gjykata janë edhe këto. E veçanta është se, në gjykimin administrativ nuk mbrohet vetëm interesi i palëve, por gjyqtari administrativ ka edhe një mision tjetër: duhet të mbrojë interesin publik. Duket pak e çuditshme si koncept, por gjyqtari administrativ nuk ka rol pasiv, ka edhe rolin aktiv. Madje, shumë më tepër sesa gjyqtari civil”, tha Ardian Dvorani.

Ndërkohë, profesori i Fakultetit Juridik, Erind Mërkuri ngriti si shqetësim heqjen e së drejtës Gjykatës Kushtetuese për të shfuqizuar amendamentet.

“Kemi shembullin hungarez, ku një kryeministër mori një shumicë të jashtëzakonshme dhe pastaj bënte ndryshime kushtetuese sipas dëshirës së tij. Domethënë për të konsoliduar ato, që ai mendonte se do i realizonte. Duke ia hequr neve Gjykatës Kushtetuese këtë mundësi, a krijojmë një bllokim, në mënyrë që në të ardhmen një kryeministër ‘abuziv’ me një shumicë të lartë në Kuvend të bëjë më pas çfarë të dojë me Kushtetutën e këtij vendi? Sepse Kushtetuesja është shkalla e fundit mbrojtëse”, tha Mërkuri.

“Përmende dy raste, por kjo nuk do të thotë se kjo është prirja. Që do të shkohet drejt shfuqizimit apo drejt kontrollit të kushtetutshmërisë së amendamenteve kushtetuese. Ne kemi zgjedhur këtu rrugën e pohimit të një ndalese, që ashtu është në fakt, nuk ndodh ndryshe. Sot në Kushtetutën shqiptare, Gjykata Kushtetuese nuk e ka këtë kompetencë dhe nuk ka si ta ketë, por ne thjesht e kemi pohuar. A kemi bërë mirë që e kemi pohuar një gjë të tillë? Ndoshta kemi bërë mirë, për të hequr çdo lloj pasigurie që mund të kenë në të ardhmen aktorët apo vet gjyqtarët kushtetues”, tha Sokol Sadushi, ekspert i nivelit të lartë.

Top Channel