Refugjatët sirianë në SHBA, dhoma e ulët sfidon veton e Obamës

19/11/2015 00:00

Në një sfidim thumbues ndaj Presidentit Barack Obama, veç republikanëve edhe anëtarë të partisë së tij në Dhomën e Përfaqësuesve kanë injoruar kërcënimin e përdorimit të vetos nga kreu i Shtëpisë së Bardhë, duke miratuar me shumicë të rëndësishme legjislacionin e sjellë nga republikanët për ngritjen e pengesave të reja ndaj refugjatëve sirianë dhe irakenë, që tentojnë të hyjnë në SHBA.

47 demokratë iu bashkuan republikanëve, me përjashtim të dy prej këtyre të fundit, teksa dhoma e ulët e Kongresit amerikan kaloi projektligjin me 289 vota pro dhe 137 kundër, një pengesë e rëndësishme për Presidentin amerikan mbi çështjen se “çfarë duhet të bëhet me Shtetin Islamik dhe refugjatët që largohen prej tyre”, si dhe në shenjë vendosmërie dhe mostërheqjeje nga opozitarët amerikanë.

Votimi e kaloi shumicën prej 2/3-tash të kërkuara për të refuzuar veton e Presidentit dhe erdhi pavarësisht nxitimit gjatë orëve të para të mëngjesit nga zyrtarë të lartë të administratës në “Capitol Hill” në përpjekjet e kota për të ndalur “rrjedhjen” e votave mes demokratëve për këtë çështje.

Ky ligj në realitet do të pezullojë pranimin e refugjatëve sirianë dhe irakenë, do t’i kërkojë FBI-së të zhvillojë kontrolle mbi historikun e njerëzve që vijnë në Shtetet e Bashkuara nga vendet e njohura prej të cilëve po largohen ata. Ai do të detyrojë gjithashtu krerët e FBI-së dhe Departamentit amerikan të Sigurisë, si dhe drejtorin e Inteligjencës Kombëtare të sigurojnë përpara Kongresit se, çdo refugjat “nuk do të jetë kërcënim për sigurinë e Shteteve të Bashkuara”.

Administrata e Obamës kërkon të rrisë numrin e refugjatëve që priten të pranohen nga anembanë botës gjatë këtij viti, nga 70 mijë aktualisht në 80 mijë, e pjesë të rëndësishme të kësaj rritjeje pritet ta kenë sirianët. Shtëpia e Bardhë njoftoi se 2174 sirianë janë pranuar në SHBA që prej sulmeve të 11 shtatorit 2011; asnjëri prej tyre nuk është arrestuar apo deportuar nga vendi mbi bazën e “pretendimeve që ata ushqejnë ambicie ekstremiste”.

Top Channel