Frikë për sulme kimike nga ISIS? Analistët: Skenar i pamundur

19/11/2015 00:00

Pas alarmit të ngritur nga kryeministri francez, Manuel Valls, se ekstremistët mund të jenë duke përgatitur sulme me armë kimike apo biologjike, shtrohen dy pyetje: Sa i madh është ky rrezik dhe a e justifikon ai projektligjin e prezantuar nga Valls për të zgjatur gjendjen e jashtëzakonshme në Francë edhe për 3 muaj të tjerë?

Britanikja “the Guardian”, në një analizë të saj bën të ditur se, mundësia e një sulmi masiv në një qytet perëndimor apo kudo tjetër, nga militantë islamikë që përdorin ndonjë lloj agjenti biologjik apo kimik, është një nga skenarët më drithërues.

Ai është përmendur disa herë nga zyrtarët përgjatë 20 viteve të fundit. Por, një sulm i tillë nuk ka ndodhur kurrë e as nuk është zbuluar ndonjë provë se, militantët i janë afruar realizimit të këtij objektivi të frikshëm.

Në fund të viteve ’90, Osama bin Laden, themeluesi dhe udhëheqësi i grupit terrorist Al Kaeda, pohoi se sigurimi i armëve kimike ishte një detyrim fetar, madje tha se kishte grumbulluar një sasi të madhe të këtyre armëve.

Organizata e tij u përpoq të krijonte laboratorë në Afganistan, por arritja më e madhe në këtë drejtim ishte mbushja e një kasolleje të vogël me lëndë kimike dhe aparatura, që zakonisht gjenden në laboratorë shkollorëe.

Në 2003-shin, shërbimet sekrete amerikane dhe saudite thanë se kishin zbuluar një komplot për të lëshuar gaz cianid në sistemin e metrove të Nju Jorkut, edhe pse nuk u arrestua askush dhe nuk u publikuan të dhëna.

Ndërkohë, një militant i burgosur në veri të Irakut informoi shërbimet perëndimore të inteligjencës se, kishte asistuar në furnizimin me armë kimike të Al Kaedës nga ana e Sadam Huseinit. Por shumë shpejt u kuptua se ai po gënjente dhe se nuk kishte qenë kurrë në Afganistan, e as ishte takuar me Bin Ladenin, ashtu siç pretendonte.

Të ashtuquajturat fabrika, që prodhonin armë kimike në veri të Irakut, e që drejtoheshin nga militantë islamikë, ishin ekstremisht modeste. Por, ndërsa dekadën e kaluar frika për mundësinë e armëve kimike u zbeh, pasi ato nuk ishin përdorur në asnjë prej sulmeve, tani ajo po bëhet gjithnjë e më e fortë në Europë.

Është e vërtetuar se, ISIS ka përdorur gazet mustard dhe klorin në Irak dhe Siri. Këto armë mund të jenë vjedhur nga depot e ushtrisë siriane, por ekziston edhe mundësia që të jenë prodhuar nga ISIS. Por, sa rrezik përbëjnë ato për Europën Perëndimore?

Sjellja e gazit të lëngshëm nga Siria në Francë do të ishte një mision delikat me shumë pak mundësi për të pasur sukses. Gazrat mustard dhe klorin bazohen në teknologjinë e Luftës së Parë Botërore dhe vdekshmëria prej tyre është e kufizuar.

Sipas ekspertëve të cituar nga “the Guardian”, edhe mundësia për prodhimin e ndonjë arme më të rrezikshme kimike në ndonjë vend të Europës për përdorim lokal, nuk është e besueshme. Rrjedhimisht, sipas medias, kërcënimi i përdorimit të armëve kimike në Europë duhet parë ashtu siç është, ekstremisht i pamundur.

Top Channel