Terrorizmi, Bushati: Asnjë kërcënim konkret ndaj Shqipërisë

19/11/2015 23:50

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati deklaroi nga studio e Top Story-t këtë të enjte se nuk ka një kërcënim terrorist konkret për Shqipërinë dhe se masat e sigurisë janë përforcuar për të shmangur çdo të papritur.

“Masat konkrete janë marrë në Shqipëri. Nuk ka një alarm konkret për Shqipërinë dhe puna jonë gjatë gjithë kësaj periudhë e fokusuar në dy fronte, përmirësimin e funksionimit të agjencive ligjzbatuese dhe sa i përket ekstremizmit të dhunshëm ka një bashkëpunim me partnerët që kanë investuar për vite me radhë në rajon dhe pjesë e dytë është puna e institucioneve shtetërore me institucionet e kultit, kryesisht me komunitetin mysliman”, tha Bushati.

Kryediplomati shqiptar deklaroi se organet ligjzbatuese shqiptare zhvillojnë operacione të vazhdueshme në terren duke mbajtur në vëzhgim elementët e dyshimtë dhe me prirje radikale.

“Sot ka operacione në terren të vazhdueshme dhe që nuk janë të nxitura nga aktet e fundit, por është punë e vazhdueshme, por ka edhe punë edukative me komunitetin fetar. Kemi rënë dakort me partnerët tanë ndërkombëtarë për të krijuar në Shqipëri një qendër rajonale kundër ekstremizmit të dhunshëm”, deklaroi Bushati.

Top Channel