Manjani: Asnjë debat Rama-Meta për emrin tim

19/11/2015 00:00

Ylli Manjani mori detyrën e ministrit të Drejtësisë në një lëvizje që u interpretua si presion i Ilir Metës ndaj kryeministrit Edi Rama për ndryshime në kabinetin qeveritar, që ai vetë i ka quajtur impulse.

Si është e vërteta e kësaj lëvizjeje? A u dorëhoq vërtetë për mungesën e bashkëpunimit me institucionet për reformën në drejtësi Nasip Naço? A ka përplasje mes LSI-së dhe PS-së sa i përket kësaj reforme?

Për këto dhe të tjera pyetje, i ftuar në Top Story-n e kësaj të enjteje me gazetarin Sokol Balla ishte i ftuar ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani.

Manjani nisi fjalën e tij me dekriminalizimin. Ai përshëndeti marrëveshjen mes maxhorancës dhe opozitës, ndërsa tha se panorama e këtij ligji do të plotësohet me reformën në drejtësi, që do të prekë Kushtetutën.

“Është rënë dakort që të ketë një ndryshim kushtetues edhe për këtë, ligji është dakortësuar dhe ndryshimet varen nga ndërhyrjet që do të bëhen në reformën në drejtësi. Një ligj mund të miratohej shumë mirë, por për të plotësuar panoramën do të duhej reforma në drejtësi që do të zgjidhë edhe çështjen e të zgjedhurve”, tha Manjani.

Menjëherë pas marrjes së detyrës, Manjani ka shkarkuar një drejtor burgu në Korçë, i akuzuar në Fiks Fare për korrupsion si dhe dy punonjës hipoteke. A janë këto lëvizje si përpjekje për të pastruar imazhin e perceptuar nga një pjesë e publikut për LSI-në?

“Pjesë e mandatit të punës time është të merrem realisht dhe seriozisht me shërbimet ligjore në këtë vend. Jam ministër i shërbimeve ligjore dhe për këtë mbaj përgjegjësi. Kjo është qasja ime ndaj kësaj gjëje. Reformat janë të rëndësishme, por ndonjëherë duke folur për reformat na ikën e tashmja. Nuk kemi shërbimin publik aty ku duhet. Kemi njerëz dallkaukë që guxojnë të dalin mbi ligjin dhe nga kjo duhet të ndahemi njëherë e mirë. Nuk më intereson fare se të kujt partie janë. Jam plotësisht i sigurtë për këtë. Nuk më intereson fare të kujt partie janë. E kuptoj pezhorativitetin që ekziston në publik për faj të atyre që shpifin, por unë njoh LSI që garanton prej vitesh ekuilibrin politik në Shqipëri. Njoh LSI që ka një imazh të rinisë shqiptare, e cila angazhohet, ka gjetur vendin e saj në LSI.Vlera e vërtetë e LSI-së është rinia”, tha Manjani.

Ylli Manjani ka qenë një ndër emrat më kritikë ndaj Edi Ramës, kur ky i fundit ishte në opozitë, e nisur nga kjo, a pati debat mes kryeministrit dhe Ilir Metës për emrin e tij?

“Në dijeninë time nuk ka patur debat mes Ramës dhe Metës për këtë çështje. Ideja e ndryshimit erdhi pas dorëheqjes së Naços. Dorëheqja u vlerësa nga kryesia e partisë, kryetari dhe nga kryeministri. Emri im ka dalë në këtë diskutim si pasues dhe për mua është sfidë që ta pasoj denjësisht atë. I jam mirënjohës LSI-së, por edhe kryeministrit që më ka dhënë besimin”, u shpreh Manjani.

Po vetë Manjani, a mendon se qeveria ka nevojë për impulse të reja?

“Në politikë ndryshimi është instrumenti më i rëndësishëm për të garantuar mbijetesën, konkurrencën dhe suksesin. Ndryshimet i takojnë kryeministrit që të bëjë vlerësimete duhura”, tha Manjani.

Më tej, ministri i Drejtësisë foli edhe për reformën, draftin e dorëzuar në Venecia dhe kundërshtitë, jo vetëm mes PD-së dhe PS-së, por edhe mes PS-së dhe LSI-së.

“Grupi parlamentar i LSI-së ka bërë disa komente mbi draftin e ekspertëve, nuk ka bërë një draft më vete. Ne jemi pjesë e kësaj maxhoraance dhe qasja e parë është e përbashkët.Reforma duhet të kalojë me pjesëmarrje politike sa më të gjerë. Kjo maxhorancë nuk i ka 2/3 e votave për të ndryshuar Kushtetutën. Pastaj duhet gjithpërfshirëse sepse do të ndërhyhet në Kushtetutë”, deklaroi ai.

Manjani komentoi edhe zërat që flasin për një ndryshim të mundshëm të sistemit zgjedhor, tek kalimi i sistemit prim, një sistem që përgjithësisht shmang koalicionet. Ai tha se LSI nuk u trembet këtyre ndryshimeve dhe se ajo do të vazhdojë të rritet.

Top Channel