Kërcënon ISIS: Shtëpia e Bardhë do të bëhet e zezë nga flakët

20/11/2015 00:00

Terroristët e Shtetit Islamik kanë kërcënuar se do ta shkatërrojnë Shtëpinë e Bardhë, vetëm një ditë pas kërcënimet se shpërthime vetëvrasëse do të ketë në Nju Jork.

“Ne e filluam me Parisin dhe do ta përfundojmë me Shtëpinë gjoja të Bardhë. Me lejen e Allahut, Shtëpinë e Bardhë do ta bëjmë të zezë më zjarrin tonë”, thotë një xhihadist në videon e re 6-minutëshe të terroristëve.

Video nis me një tjetër xhihadist i cili kërcënon Shtetet e Bashkuara dhe Francën, dy vendet të cilat kanë shpeshtuar sulmet kundër terroristëve të ISIS ditët e fundit.

Mirëpo, ajo që tërheq vëmendjen është fundi i videos, pasi në arabisht shkruhet “Parisi përpara Romës” dhe mediat ndërkombëtare pyesin mos është ndonjë paralajmërim për shtetin italian.

Alarmi për akte të mundshme terrorizmi në Itali është shtuar shumë së fundmi. Sipas një raporti të Drejtorisë hetimore të Antimafias, FBI ka paralajmëruar se rreziku i atentateve në Itali është rritur, megjithëse nuk ka sinjale të drejtpërdrejta kërcënimi.

Me sa dihet, pikat më delikate konsiderohen bazilika e Shën Pjetrit në Romë, ajo e “Duomos” në Milano dhe teatri “La Scala”, po në Milano.

Top Channel