Marrëveshja 2 mld dollarëshe, Kina blen 24 avionë ushtarakë nga Rusia

20/11/2015 00:00

Kina do të blejë 24 avionë ushtarakë Sukhoi Su-35 nga shteti rus në një marrëveshje që besohet se prek shumën e 2 miliardë dollarëve. Lajmi është bërë i ditur nga “Reuters”, që citon burime konfidenciale.

Marrëveshja e bën Kinën blerësin e parë të huaj të Su-35-s, avionin ushtarak më të avancuar rus, po ashtu është dhe marrëveshja më e madhe mes këtyre dy vendeve për blerjen e mjeteve ushtarake.

Kina dhe Rusia janë duke negociuar prej vitesh për avionët Su-35 dhe në vitin 2012 të dy shtetet firmosën një marrëveshje paraprake që i lejonte Pekinit të blinte disa avionë.

Ajo çfarë nuk është ende e qartë është se kur Kina duhet të shlyejë detyrimet e saj për 24 avionët ushtarakë dhe kur Rusia do t’ia dorëzojë ato.

Gjithsesi, shtetet nuk kanë pranuar të komentojnë këto raportime në media, kjo në përputhje me praktikat mbi marrëveshjet për armët.

Top Channel