Shërbimet sekrete greke kanë shkatërruar një organizatë që trafikonte mijëra emigrantë nga brigjet turke në brendësi të kufirit grek. Sipas policisë greke, aksioni për kapjen e organizatës filloi në ishullin e Mytilinit dhe vazhdon ende në Athinë dhe Selanik.

Deri tani janë arrestuar 10 persona (8 pakistanezë, 1 grek dhe 1 nga Afganistani), si dhe disa të tjerë janë shpallur në kërkim, si të implikuar në linjën e trafikut të emigrantëve nga brigjet turke drejt Evropës dhe SHBA-së.

Burime policore thanë për Top Channel se hetimet kishin filluar prej disa muajsh dhe aksioni u konkretizua gjatë natës të së enjtes.

Autoritet greke kishin njoftim prej shërbimeve homologe amerikane dhe britanike lidhur me një linjë të mirëorganizuar të trafikimit që fillon në Siri, Turqi, Greqi dhe përfundon në Gjermani, Belgjikë dhe SHBA.

Prej përgjimeve telefonike rezultoi se anëtarët e organizatës i transportonin emigrantët në brigjet greke me gomone dhe anije peshkimi dhe i pajisnin ata me vërtetim të falsifikuar të regjistrimit të pikës hyrëse të kontrollit në ishullin grek, kundrejt shumës prej 300-500 euro.

Në vazhdim, anëtarët e organizatës i pajisnin emigrantët me bileta trageti, ndërsa nga Pireu dhe Kavalla emigrantët transportoheshin prej anëtarëve të tjerë të mafias, të cilët janë shqiptarë dhe grekë.
 
Besohet se mafia e autobusëve që i dërgon ata në kufirin maqedonas përfiton 1500 euro për çdo autobus me emigrantë të transportuar në drejtim të kufirit maqedonas.

Për pjesën tjetër të udhëtimit, emigrantët paguanin sërish shuma të tjera tek mafia maqedonase dhe serbe, të cilat llogariten në mijëra euro për çdo emigrant.

Kurse pajisja me kartë identiteti dhe pasaportë të falsifikuar greke kalon shumën 15-20.000 euro. Vetëm pajisja me dokumentat e falsifikuara të regjistrimit në Mytilini, banda fitonte më shumë se 3 milionë euro në muaj, ndërsa përfitimet totale të këtij biznesi llogariten në qindra milionë euro.

Shërbimet greke të inteligjencës thonë se në territorin turk dhe grek operojnë më shumë se 22 organizata të ngjashme dhe fitimet e tyre llogariten në shuma marramendëse.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan vula të falsifikuara, qindra fletë regjistrimi të emigrantëve, aparat fotografik dhe një shumë e madhe parash dhe sende të arta që ishin marrë në këmbim të parave prej emigrantëve.

Më herët, autoritetet e Hondurasit njoftuan se kanë ndaluar 5 shtetas sirianë të pajisur me pasaporta greke të falsifikuara të një cilësie tepër të lartë.
5 të arrestuarit po tentonin të mbërrinin në SHBA. Ende nuk dihet nëse personat e ndaluar kanë lidhje me përgatitjen e ndonjë sulmi terrorist në territorin amerikan.

Dyshohet se një pjesë e këtyre parave të përfituara prej organizatave të trafikut të emigrantëve përdoren për financimin e Shtetit Islamik.

Top Channel