Singapor, konferencë për trashëgiminë detare dhe turizmin kulturor

20/11/2015 00:00

Në Singapor po zhvillohet këtë të premte Konferenca e parë me temë “Dinamika e trashëgimisë detare dhe turizmi kulturor”, organizuar nga Universiteti i Teknologjisë “Nanyang” dhe Autoriteti shtetëror Detar i këtij vendi.

Kjo konferencë ka mbledhur për herë të parë ekspertë të fushës nga e gjithë bota, të cilët kanë sjellë modele dhe tema, që flasim mbi trashëgiminë kulturore detare dhe impaktin e tyre në historinë dhe turizmin e vendeve të ndryshme.

Shqipëria përfaqësohet në këtë konferencë nga anëtari i Këshillit Shkencor të UNESCO-s, Auron Tare, i cili referoi modelet e krijimit të Butrintit; ishullin e Sazanit, si një destinacion i rëndësishëm i trashëgimisë detare; apo lançimin e projektit të ‘Via Egnatia’-s si pjesë e trashëgimisë botërore, e lidhur po kështu me historinë detare.

Trashëgimia detare është pjesë e trashëgimisë humane të mjaft vendeve, të cilat kanë shfrytëzuar detin për shkëmbime tregtare dhe kulturore. Për këtë arsye, ruajtja, mbrojtja dhe përdorimi i kësaj trashëgimie për turizëm kulturor është mjaft e rëndësishmë për zhvillimin ekonomik të vendit.

Shqipëria antike ka qëndruar gjithmonë në udhëkryqin historik midis Lindjes dhe Perëndimit, dhe për këtë arsye ka një trashëgimi kulturore detare mjaft të pasur, por që fatkeqësisht ende të pashfrytëzuar në zhvillimin e turizmit.

Megjithatë, disa modele interesante që vijnë nga Shqipëria, si Butrinti, ishulli i Sazanit dhe ‘Via Egnatia’ kanë tërhequr vëmendjen e organizatorëve të kësaj konference, të cilët kanë menduar se sjellja e tyre në këtë takim është me mjaft interes.

Top Channel