Mali, policia liron 80 nga 170 pengjet në hotel; 3 të vrarë

20/11/2015 00:00

Forcat vendase të sigurisë mësynë hotelin e sulmuar mëngjesin e së premtes nga persona të armatosur në kryeqytetin e Malit, Bamako, ku agresorët morën peng gati 170 vetë.

Nga sa sqaruan vet pronarët e hotelit “Radisson Blu”, dy kanë qenë sulmuesit që kanë mbajtur për orë të tëra nën kërcënimin e armëve 30 pjesëtarë të stafit dhe 140 klientë.

Policia e rrethoi me urgjencë ndërtesën, ku agresorët kanë hyrë duke thirrur “Allahu Akbar”, “Zoti është i madh!”.

Të paktën 3 vetë mendohet të kenë humbur jetën, ndërsa televizioni shtetëror i Malit njoftoi se 80 nga pengjet janë liruar. 12 prej tyre mësohet të kenë qenë punonjës të “Air France”. Mes pengjeve ka pasur edhe shtetas turq, indianë e të paktën 10 kinezë. Më herët, “Reuters” citoi një burim sigurie të pohonte se, disa prej pengjeve u lanë të lirë pasi kanë kënduar sure nga Kurani.

“Radissoni” me pronarë amerikanë është një hotel i përdorur përgjithësisht nga të huaj që punojnë në Mali. Në muajin gusht, një i dyshuar si islamik hapi zjarr e vrau 13 vetë, 5 nga të cilët punonjës të Kombeve të Bashkuara gjatë një episodi të ngjashëm në një hotel të qytetit Sevare.

Franca, ish fuqi kolonizatore e këtij vendi, ndërhyri atje ushtarakisht janarin e 2013-s, kur militantë të lidhur me Al Kaedën kërcënuan të marshonin drejt Bamakos, pasi kishin marrë nën kontroll pothuajse të gjithë rajonet veriore.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Mali këshilloi qytetarët amerikanë atje të shmangin daljen nëpër rrugët e kryeqytetit, pasi situata është e rënduar dhe kaotike. Pavarësisht vulosjes së një marrëveshje paqeje qershorin e këtij viti, pjesë të tëra të Malit vazhdojnë të mbeten jashtë kontrollit të qeverisë dhe forcave të huaja.

Franca vazhdon të ketë të paktën 1.000 trupa të stacionuara në këtë shtet. Në një regjistrim audio, të bërë publik në muajin tetor, Iyad Ag Ghaly , kreu i grupit xhihadist “Ansar Dine” e akuzoi për tradhti grupin rebel, që firmosi paktin e paqtimit e iu referua edhe sulmit të janarit ndaj revistës satirike franceze “Charlie Hebdo” me pretendimet se, “kryqtarët kanë kaluar absolutisht çdo kufi”.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel